Kombetarja

Turqia na mund sërish edhe me kombëtaren e vogël

Disfatën e mbrëmshme 2-0 në “Loro Boriçi” e ka vazhduar edhe kombëtarja U-21 sërish me Turqinë këtë të shtunë në “Elbasan Arena”. Ndryshe nga kombëtarja e madhe që tashmë është pa trajner, ekipi “shpresa” ka treguar një nivel loje më të mirë edhe pse në fund sërish nuk ia ka dalë që të marrë fitore në këtë start eliminatoresh, duke u mposhtur 1 me 2.

Për ekipin kuqezi vendimtare në këtë përballje të parë ishte efikasiteti para portës dhe në disa raste edhe mungesa e eksperiencës. Me golin e shënuar shumë shpejt që në minutën e 10’ nga Juksel u mendua se Turqia do e kishte shumë të lehtë këtë përballje në Elbasan. Por nuk ndodhi kështu, pasi ekipi i Alban Bushit provoi të bënte rezistencë.

Mala, Imeri dhe Vrioni ishin lojtarët më të rrezikshëm kuqezinj që provuan disa herë të vënë në vështirësi portierin turk. Në minutën e 20’ erdhi edhe barazimi nga Tafa, pas një inkursioni personal të mesfushorit të Partizanit, Esat Mala. Pas këtij goli skuadra kuqezi sërish qëndroi në sulm, duke kërkuar që të kalonte në avantazh. Edhe në pjesën e dytë ishin disa rastet e rrezikshme për Shqipërinë, por goli nuk erdhi për shkak edhe të formës shumë të mirë të portierit turk, që mohoi disa gola të sigurt. Kur u duk se ndeshja po shkonte drejt një barazimi, turqit goditën. Ishte Okzan që çoi topin në rrjetën e Dajsinanit, duke i dhënë Turqisë një fitore shumë të rëndësishme që jep mundësinë për të marrë kryesimin e grupit. Për ekipin e Shqipërisë nga ana tjetër, kjo ndeshje mund të cilësohet si pozitive pasi tregoi disa shenja të mira, por sërish mungesa e eksperiencës ishte vendimtare në disa momente.

Formacionet e dyja ekipeve:
Shqipëria U21: Dajsinani, Maloku, Tafa, Bajrami, Kryeziu, Shehu, Kallaku, Mucolli, Mala, Imeri, Vrioni. Trajner: Alban Bushi
Turqia U21: Bajindir, Dursun, Turkmen, Muldur, Çiftçi, Sari, Juksel, Ozkan, Saglam, Canbaz, Sinik. Trajner: Vedat Incefe


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë