Ekonomi

Turqia “godet” produktet amerikane

Kundërpërgjigjia turke ndaj tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara për aluminin dhe hekurin e Ankarasë nuk vonoi. Fillimisht Ministria e Jashtme turke dhe më pas zv.Presidenti Fuat Oktay njoftuan firmosjen e një dekreti nga ana e Recep Taip Erdogan, që shënjestron ashpër produktet amerikane.

Tarifat janë rritur për mjetet e transportit të pasagjerëve, kryesisht furgonave dhe autobusëve, për alkoolin, duhanin, mallrat kozmetikë, orizin dhe qymyrin. Për makinat e transportit të pasagjerëve tarifat u rritën me 120 për qind, për pijet alkoolike 140 për qind dhe 60 për qind për duhanin.

Po jo vetëm kaq. Dekreti i firmosur nga Erdogan parashikon edhe rritjen me 100 për qind të tarifave për disa produkte të tjera amerikane, pjesa më e madhe e të cilave janë prodhime teknologjike.

“Tarifat për importin e disa produkteve amerikane u rritën si masë reciprociteti kundër vendimit të administratës së Shteteve të Bashkuara për të sulmuar ekonominë tonë”, deklaron në Tëitter, zv.Presidenti, Fuat Oktay.

Të premten e kaluar, Ministria e Jashtme turke kishte paralajmëruar vendosjen e këtyre masave si kundërpërgjigje ndaj rritjes së tarifave amerikane ndaj aluminit dhe hekurit turk. Zëdhënësi i kësaj ministrie akuzoi përmes rrjeteve sociale drejtpërdrejtë Presidentin amerikan, Donald Trump.

“Vendimi i Presidentit Donald Trump, i cili shkel edhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, nuk përputhet me seriozitetin e një shteti”, tha ai.

Reagimi mbërriti pas vendimit të Donald Trump për rritjen me 50 për qind të tarifave për aluminin dhe 20 për qind për hekurin që importohet nga Turqia.

Lufta tregtare konsiderohet si kulmi i një marrëdhënieje të brishtë mes Uashingtonit dhe Ankarasë, që u përplasën me njëra-tjetrën në konfliktin sirian. Dy aleatët në NATO ndanë qëndrime të ndryshme sa i takon YPK, milicia e organizuar kurde që vepron në veri të Sirisë. Uashingtoni i konsideron aleatë, ndërsa Ankaraja “terroristë” për shkak të bashkëpunimit me partinë kurde në pjesën turke, PKK.

Javën e kaluar, një delegacion turk u kthye duarbosh nga Uashingtoni në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për rastin e pastorit Andreë Brunson. Brunson ndodhet në arrest shtëpiak në Turqi me akuzën e spiunimit dhe ndihmës për PKK, listuar si organizatë terroriste si nga Turqia, ashtu edhe nga SHBA.

Një tjetër përplasje e hershme mes dy vendeve është edhe Fethullah Gylen. Kleriku i lëvizjes “FETO” jeton prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. Erdogan e akuzon atë si organizator i grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 dhe ka kërkuar nga SHBA ekstradimin e tij drejt Turqisë. Kërkesa turke është refuzuar nga amerikanët me argumentin se nuk ka prova bindëse që të provojnë se pas grushtit të shtetit ndodhet pikërisht Gylen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë