Treg

Turizmi në krizë, Dubai jep 700 euro për banorët që ftojnë miq dhe familjarë

Është një përpjekje për të ringjallur industrinë e turizmit, i cili ka hasur vështirësi të konsiderueshme pas bombardimeve iraniane të muajve të fundit

Gazeta Si – Dubai po i shndërron banorët e tij në ambasadorë të turizmit për qytetin, në një përpjekje për të nxitur turizmin, i cili është prekur rëndë nga lufta në Iran.

Qeveria vendore ka nisur “Dubai Invite”, një program që ofron përfitime me vlerë mbi 3.000 dirhamë – e barabartë me rreth 700–720 euro – për ata që ftojnë miq ose familjarë, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Si funksionojnë bonuset – Shpërblimi nuk është një shumë monetare, por përbëhet nga tri paketa për çdo rezident, të cilat ofrojnë përfitime të tilla si përvoja gastronomike dhe degustim verërash, qëndrime në hotele dhe hyrje në atraksionet e qytetit.

Promocioni vlen për qëndrimet midis 20 korrikut dhe 31 tetorit; çdo rezident mund të ftojë deri në pesë persona njëherësh, me një kufi maksimal prej tri ftesash në total.

Kush mund të marrë pjesë – Të drejtën për të marrë pjesë e kanë shtetasit dhe rezidentët e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të moshës 18 vjeç e lart, të cilët zotërojnë një kartë identiteti të vlefshme të Emirateve (Emirates ID).

Regjistrimi është i thjeshtë: pjesëmarrësit duhet të plotësojnë formularin në faqen zyrtare të “Visit Dubai” dhe të japin detaje rreth personit të ftuar, si emri, numri i pasaportës, kombësia, data e lindjes, lidhja me rezidentin dhe muaji i planifikuar i mbërritjes.

Të ftuarit nuk duhet të jenë rezidentë të EBA-s dhe duhet të zotërojnë një vizë turistike të vlefshme për Dubain, që mbulon periudhën midis 20 korrikut dhe 31 tetorit 2026.

Megjithatë, ekziston një kufizim: çdo vizitor mund të nominohet vetëm një herë. Nëse një vizitor është regjistruar tashmë nga një rezident tjetër, një nominim i dytë nuk do të sjellë dhënien e shpërblimit.

Programi po gëzon popullaritet të madh mes rezidentëve të Dubait; mediat vendase raportuan mbi 10,000 aplikime brenda 48 orëve të para.

Rënia e turizmit – Gazeta britanike “The Guardian”, e lidh nisjen e kësaj nisme me rënien e turizmit të shkaktuar nga konflikti në Azinë Perëndimore dhe nga sulmet me dronë e raketa iraniane ndaj qytetit të Emirateve.

Rekordi i vendosur në vitin 2025 – kur qyteti priti pothuajse 20 milionë turistë (një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2024) – tashmë duket si një kujtim i largët.

Për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale, shumë itinerare fluturimi janë devijuar dhe turistët i kanë shmangur rrugët apo ndalesat që përfshijnë Dubain.

Hotelet dhe bizneset kanë regjistruar një rënie të të ardhurave me 50%. Disa nga hotelet më të famshme të qytetit janë mbyllur, duke prekur fuqinë punëtore; kriza në këtë sektor ka detyruar një shkurtim të vendeve të punës me 15-20%.

Për të shmangur mbylljen dhe për të tërhequr klientë, disa hotele kanë vendosur të ofrojnë ulje prej 45% në tarifat standarde.

Transmetuesi britanik BBC, intervistoi Mamoun Hmiden, drejtorin operativ të platformës së rezervimeve “Wego”, i cili deklaroi se shkalla e zënies së hoteleve në Dubai ka rënë në 15–20 për qind të niveleve normale.

Sipas Hmiden-it, pasiguria lidhur me konfliktin ka bërë që shumë udhëtarë t’i shtyjnë ose t’i anulojnë qëndrimet e tyre në rajon, duke i detyruar hotelet e ndryshme të ulin çmimet për të tërhequr klientë.

Ndërkohë, hoteli “Burj Al Arab” ka përshpejtuar punimet e rinovimit të planifikuara më parë, duke njoftuar një mbyllje 18-mujore.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë