Ekonomi

Turizmi i vakët këtë shtator, 16% turistë më pak se para krizës

Në shtator, në Shqipëri hynë 494 mijë shtetas të huaj, sipas të dhënave të INSTAT, numër i rritur me gati 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 por 16% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 kur vendi nuk ishte në pandemi.

Diferencën e kanë bërë shtetasit nga Kosova, të cilët në shtator të këtij viti ishin 21% më pak se në shtator 2020.

Për periudhën janar- shtator, në vend kanë hyrë gati 4.9 milionë shtetas të huaj, me rritje 129% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në raport me 9 mujorin 2019, hyrjet e shtetasve të huaj ishin rreth 11% më të ulëta.

Peshën kryesore këtë 9 mujor e ka mbajtur Kosova, duke u bërë sërish shpëtimtari i turizmit vendas. Hyrjet e shtetasve nga Kosova u rritën me 115% në krahasim me janar shtator 2020, ndërsa ishin dhe 18% më të larta se e njëjta periudhë e 2019-s, duke qenë i vetmi shtet me rritje. Për 9 mujorin 2021, shtetasit nga Kosova përbënin gati 50% të hyrjeve totale, nga 37% të njëjtën periudhë të 2019-s.

Shtetasit nga Maqedonia e Veriut ishin të dytët për 9 mujorin 2021, me 9.5% të totalit, nga 11.7% në të njëjtën periudhë 2019. Shtetasit nga Italia u renditën të tretët, me përkatësisht 5.6 dhe 7%.

Sipas të dhënave nga INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin shtator janë 794.010, tregues që rezulton me një rritje 31.3 %.

 Në shtator 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 494.332 duke u rritur me 31.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përgjatë nëntëmujorit të 2021, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4.6 herë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 4.3 herë, ndërsa Greqia ka pasur rritjen më të ulët me 8.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shtator 2021, janë 961.342 duke shënuar një rritje me 36.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë