Bota

Turistët nuk paguajnë parkimin në Napoli, sherr me pronarët e garazhit në mes të rrugës (Video)

Gazeta Si – Një ring në mes të rrugës disa hapa nga rajoni i policisë së Napolit dhe bashkia e qytetit. Kështu ndodhi të mërkurën, kur “Via Goethe” ishte skena e një sherri, ku u përfshinë dhjetëra persona, duke paralizuar trafikun e automjeteve dhe madje edhe të këmbësorëve.

Një përleshje në të cilën pati grushte, shuplaka dhe shkelma dhe ku janë përfshirë edhe disa gra. Sipas mediave italiane, duket se mosmarrëveshja, e cila më pas degjeneroi, ka lindur mes pronarëve të një garazhi me pagesë dhe disa klientëve, turistë me origjinë të huaj.

Skena u dëshmua nga dëshmitarë të shumtë okularë, të cilët xhiruan disa video me celularët e tyre dhe më pas iu drejtuan deputetit të Aleancës së Gjelbër-të Majtë, Francesco Emilio Borrelli.

Sipas atyre që ndodheshin në vendngjqrje, debati mes pronarëve të garazheve dhe turistëve ka lindur për çështje parash.

Vizitorët dyshohet se kanë refuzuar të paguajnë shumën totale për parkimin e makinave (me një tarifë për orë prej 6 euro), pasi i kanë gjetur makinat e tyre të dëmtuara.

“Një skenë e denjë për një sherr mes gangove në Amerikën e Jugut, por mbase episode të caktuara nuk ndodhin më atje, – komenton parlamentari. – Edhe një pikë tjetër për turpin e Napolit. Një flamur i mbajtur lart dhe me krenari nga njerëz të dhunshëm, kriminelë dhe të poshtër, që lë në hije fytyrën e shëndoshë të këtij qyteti. I kemi kërkuar komisariatit të policisë të identifikojë të gjithë personat e përfshirë në sherr dhe të marrë masa serioze”.

Më pas Borrelli shton: “Kemi vite që ngremë alarmin për situatën e parkimeve. Tarifa disproporcionale, rrugë publike të përdorura si hapësira parkimi garazhesh me parkim të parregullt, rrugë të tëra të bllokuara. Nëse ata që menaxhojnë këto garazhe e bëjnë këtë me metoda pseudo-Camorra dhe përdorin frikësimin dhe dhunën, atëherë është koha t’i ndalojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë