Futboll

Turi i tretë i Ligës së Europës, Partizani njeh kundërshtarin

Partizani është i vetmi ekip i kampionatit shqiptar që vazhdon të luajë në Kupat e Europës. Kampionët e Shqipërisë u eliminuan nga Liga e Kampionëve dhe të enjten luajnë me Sherif Tiraspolin ndeshjen e parë të turit të dytë në Ligën e Europës. Ndeshja luhet në “Selman Stërmasi”, në orën 17:30, dhe të kuqtë kanë më shumë mundësi kualifikimi këtë herë se ndaj Karabagut, kundërshtarit që i eliminoi që në turin e parë të Championsit.

Shorti i turit të tretë eliminator të Ligës së Europës

UEFA ndërkohë ka hedhur edhe shortin e turit të tretë eliminator të Ligës së Europës, ku Partizanit, nëse arrin të kualifikohet, i takon të luajë me ekipin humbës të çiftit të Ligës së Kampionëve, Maribor-AIK. Sllovenët e Mariborit janë një kundërshtar i fortë, që Partizani e njeh shumë mirë, pasi një vit më parë eliminohej prej këtij ekipi. Por Maribori ka më shumë shanse kualifikimi në Champions dhe të kuqtë pritet të ndeshen me suedezët e AIK-ut. Gjithsesi, Partizani së pari duhet të eliminojë moldavët e Sherifit në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Për këtë duhet patjetër të fitojë të enjten në fushën e tij, mundësisht pa pësuar gol, që ta ketë më të lehtë ndeshjen e kthimit në Moldavi.

Lojtarët e Shkëndijës, të dëshpëruar pas eliminimit nga Nome Kalju në Champions

Një short interesant ishte për Shkëndijën e Tetovës, që ashtu si Partizani, ka kaluar në Ligën e Europës pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Tetovarët, nëse eliminojnë Dudelanzh të Luksemburgut, përplasen me humbësin e çiftit Selltik-Nome Kalju. Të gjitha gjasat janë që të ndeshen sërish me ekipin estonez dhe kanë rastin për “hakmarrje” për eliminimin nga Championsi. Ekipi tjetër shqiptar në Europë, Feronikeli, nëse kualifikohet ndaj sllovakëve të Slovan Bratislavës në turin e dytë të Ligës së Europës, do të përballet me humbësin e çiftit Dundalk-Karabag. Këtë herë shorti ka qenë me fat për skuadrat shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë