Ushqim

Tulipanët për mëngjes/ Lulja si ushqim, nga koha e luftës në gastronominë bashkëkohore

Holandë, fundi i vitit 1944! Pas çlirimit nga nazistët, kishte ende probleme për të zgjidhur. Trenat dhe transporti detar u bllokuan nga lumenjtë që kishin ngrirë, kështu që njerëzit e kishin më të vështirë të siguronin ushqim.

Kjo situatë kritike çoi në një krizë të madhe buke, veçanërisht në zonat urbane perëndimore të vendit. Konsumi i kalorive shkoi nga 1800 në 500 kalori për person në ditë nga maji 1944 deri në shkurt 1945.

Vlerësohet se nga vjeshta e vitit 1944 deri në maj 1945, nga 20,000 deri në 25,000 qytetarë holandezë vdiqën nga kequshqyerja. Kjo ka prekur edhe gratë shtatzëna dhe foshnjat nën një vjeç, me pasoja afatgjata në shëndetin e këtyre fëmijëve.

Një balerinë 16-vjeçare, e cila ishte 1.70 metra e gjatë dhe peshonte 40.8 kilogramë, do të kujtonte më vonë se vuante nga astma, verdhëza, anemia dhe sëmundje të tjera që vijnë nga kequshqyerja.

“Fillon me këmbët e tua dhe kur arrin në zemrën tënde, ti vdes”, thoshte ajo asokohe.

Ajo dhe familja e saj mbijetuan... duke ngrënë tulipanë.

Supë me tulipan për të qetësuar shpirtin

Qeveria holandeze po kërkonte ushqim të pasur me energji dhe lëndë ushqyese, si dhe lehtësisht të aksesueshëm. Gjatë kësaj faze lufte, tulipanët nuk u kultivuan më dhe mbeti një rezervë e madhe zhardhokësh të pambjellura. Prandaj, autoritetet shfrytëzuan këtë tepricë për të shitur fara në dyqane ushqimore dhe për të botuar receta në revistat lokale në përpjekje për të ndihmuar popullatën. Supa me tulipan gatuhej gjatë orës së vetme me gaz që ishte në dispozicion në ditë.

Një nga këto receta është përgatitur në këtë mënyrë: “Shtoni ujë në tenxhere, pritini zhardhokët përgjysmë. Më pas grijini zhardhokët me një rende të imët dhe mundësisht në tenxhere pasi tuli zbardhet shpejt. Edhe pse trupi i tulipanit është i pasur me niseshte, nuk do e trashë supën siç bën mielli. Nëse keni pluhur kerri në shtëpi, shtoni një majë, pastaj shtoni pak vaj ose një sasi të vogël yndyre. Dhe mos harroni kripën!”.

Megjithatë, tulipanët kanë një problem. Zhardhokët përmbajnë kryesisht një alergjen: përbërjen e quajtur tulipalin A, e cila gjendet edhe në kërcell, gjethe dhe petale.

Ekspertët kanë zbuluar helmimin e lopëve të cilat kanë ngrënë zhardhok tulipani.

Rreziku i konsumimit të zhardhokut të tulipanit qëndron në shumëllojshmërinë ose në mënyrën se si ato përgatiten. Në fakt, jo të gjitha llojet janë të ngrënshme, dhe ato që janë kanë një shije të hidhur. Nga ana tjetër, ngrënia e tyre të paziera mund të shkaktojë të përziera, dhimbje stomaku dhe probleme të tjera me tretjen.

Tulipani është bërë pjesë e kuzhinës moderne

Sot, zhardhoku i tulipanëve mund të thahet, pluhuroset dhe shtohet në kokrra ose modifikohet për të marrë miell për të bërë bukë.

Përveç kësaj, lulet janë gjithashtu të ngrënshme. Ato mund të përdoren për të dekoruar pjatat, me të gjithë lulen ose duke i copëtuar petalet dhe duke i përzier në një sallatë, megjithëse nuk kanë shumë shije. Vlen të përmendet edhe përdorimi dekorativ i petaleve me sheqer në një kek ose ngrënia e tyre me shurup.

Përpjekjet për të rikuperuar këtë përbërës origjinal shihen në gastronominë aktuale. Margaret Roberts, një eksperte në bimët ushqyese dhe mjekësi, ka mbledhur receta si shurup tulipani, tulipanë të mbushur me majonezë dhe tri sallata me fasule dhe tulipanë.

Shembuj të tjerë për t'u theksuar janë Johanna Huiberts-van den Berg, e cila mblodhi rreth tridhjetë receta dhe Alain Caron, një kuzhinier francez në Holandë për 40 vitet e fundit ka shpikur gatime me përbërës tulipanët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë