Lajme

Tsipras nderon shqiptarin: Hero në shpëtimin e njerëzve nga zjarri

Fatkeqësisht zjarret në zonën e Matit në Greqi shkaktuan dhjetra të vdekur dhe qindra të tjerë të lënduar, por nëse nuk do të ishte për heroizimin e dhjetëra personave të tjerë, numri i viktimave do të ishte akoma më i lartë.

Mes atyre që sfiduan tymin dhe flakët dhe u afruan në breg me varka ka patur edhe shtetas shqiptarë. Njëri prej tyre është vlerësuar nga Kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Tsipras i falenderoi dhe më pas deklaroi se ka dhënë urdhër te ministri i Brendshëm që t’u japë atyre nënshtetësinë greke për sakrificën që bënë.

Shtetasi shqiptar dhe dy egjiptianët punonin si peshkatarë me një varkë në zonën Nea Makri. Bashkë me shumë peshkatarë të tjerë të zonës, gjatë natës kur flakët e mëdha shkrumbonin qindra shtëpi e merrnin dhjetëra jetë njerëzish, ata shpëtuan me varkat e tyre dhjetëra të tjerë.

“Peshkatarët e Nea Makrit, vendas dhe emigrantë, bënë një betejë heroike gjatë tragjedisë, duke shpëtuar jetë. Shteti u njeh atyre këtë sakrificë. Ne i falënderojmë ata”, shkruan kryeministri Tsipras edhe në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/tsiprasalexis/videos/271807063432948/

Mësohet se të tre emigrantët jetojnë në Greqi prej 20 vitesh. Dekreti për dhënien e shtetësisë për ta iu dërgua Presidentit vendas për miratim.

Mediat greke përshëndetën vendimin e Kryeministrit Tsipras dhe në disa artikuj u hoqën paralele me aktin e ngjashëm të Presidenti francez, Emmanuel Macron, që i dha shtetësinë franceze një emigranti afrikan, i cili shpëtoi jetën e një fëmije duke ngjitur 5 kate pa asnjë mjet mbrojtës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë