Gazeta Si- Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk heq dorë nga plani i tij për marrjen e kontrollit të plotë të Gazës pas luftës.
“Gaza duhet t’i dorëzohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Izraeli në fund të luftës. Palestinezët, ose njerëz si Chuck Schumer, (udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat), do të vendoseshin në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja, moderne në rajon. Ata do të kishin vërtet mundësinë për të qenë të lumtur, të sigurt dhe të lirë”.
Donald Trump këmbëngul për projektin e amerikan për Gazën, duke shkruar në rrjetin “Truth Social”, se “SHBA, duke punuar me ekipe të mëdha zhvillimi nga e gjithë bota, do të fillonin ndërtimin e asaj që do të bëhej një nga projektet më të mëdha dhe më spektakolare të këtij lloji në Tokë. SHBA nuk do të kishte nevojë për ushtarë! Stabiliteti në rajon do të mbretëronte!”.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, e cila “besojmë se është e vetmja rrugë drejt paqes afatgjatë për izraelitët dhe palestinezët. Dhe ne ishim të qartë: Gaza është një pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez”. Kështu deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme, Anouar El Anouni, në konferencën e përditshme për shtyp. “Si izraelitët dhe palestinezët meritojnë paqen. Armëpushimi, siç e kemi thënë tashmë, është një zhvillim pozitiv, por tani duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të arritur një fund të përhershëm të armiqësive dhe stabilitet dhe paqe në rajon”, – shtoi ai.
Ndërsa për Kinën, Gaza “nuk është një mjet pazari për transaksionet politike”, “ajo i përket palestinezëve dhe është pjesë integrale e territorit të tyre”.
Kështu, Ministria e Jashtme kineze, e cila ka kundërshtuar edhe një herë, përmes zëdhënësit të saj, Guo Jiakun, deklaratat e fundit të presidentit Donald Trump për kontrollin e SHBA-së mbi Rripin.
“Gaza është shkatërruar nga lufta dhe plot vuajtje. Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht fuqitë e mëdha, duhet të punojnë së bashku për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të siguruar rindërtimin në Gaza, në vend që të përkeqësojnë situatën”, tha Guo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.