Ka ndodhur

Tronditet Shkodra, vritet në një atentat në makinë “Kumbari”

Qyteti i Shkodrës është tronditur mbrëmjen e së dielës, ku në një atentat është vrarë me armë zjarri, Bardhok Pllanaj, i njohur si biznesmen.

Policia thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:10 në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, ku 46-vjeçari, banues në Shkoj i Ri, ka qenë duke udhëtuar me automjet.

Mësohet se janë ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin dhe policia po bën kontrolle të imtësishme. Po ashtu, edhe grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes, aty ku kanë pikasur edhe një mjet që po digjej.

Dyshohet se ky i fundit, i tipit “Passat” me targa italiane, u përket atentatorëve, të cilët kanë vendosur ta djegin për të mos lënë gjurmë. Brenda mjetit janë gjetur dy armë zjarri, me të cilat dyshohet se është ekzekutuar “Kumbari”.

Bëhet e ditur se Pllanaj ishte në kërkim nga policia, pasi në dhjetor të vitit të shkuar, dyshohej si një nga autorët e të shtënave me armë drejt banesës dhe lokalit të një polici të repartit “Shqiponja”.

E shkuara e errët e Bardhor Pllanajt

Bardhok Pllanaj, cilësohej si “Kumbari” i Shkodrës. Dy vite më parë policia dhe prokuroria i sekuestroi një pallat me vlerë 2 milionë euro, ndërsa u vu nën akuzë për tre vepra penale “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Sakaq, në vitin 2014, i njohuri si i forti i Shkodrës, ishte arrestuar për trafik droge. Bardhok Pllanaj njihej si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë.

Në vitin 2014, “Kumbari” i Shkodrës, dyshohet se u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, për t’iu shmangur arrestimit nga policia, e cila e kërkonte për trafik droge.

Atëherë Frroku mohoi akuzat në drejtim të tij, por në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhej se i dyshuari në suervejim prej tyre, kishte lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë, drejt Lakrapës me automjetin “Audi” në pronësi të deputetit.

Operacioni “Laguna e Vilunit”

Pllanaj, më herët ishte hetuar së bashku me disa persona të tjerë, si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”, madje ndaj tij, u nxor edhe një urdhër arresti, por në atë kohë ai nuk u gjet. Ai i shpëtoi dënimit për mungesë të provave.

Gjatë operacionit “Laguna e Vilunit" të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanzas, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve, kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve është identifikuar si shtetas italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë