Ngjarje

Mbi 100 plumba drejt makinës luksoze, Bardhok Pllanaj u ekzekutua pa mëshirë

Mbi 100 plumba janë qitur nga armët e atentatorëve ndaj makinës ku udhëtonte dhe mbeti i vrarë një natë më parë Bardhok Pllanaj në Shkodër.

Sipas burimeve policore, mjeti me të cilin qarkullonte i ashtuquajturi “Kumbari i Shkodrës” është bërë shosh nga predhat e automatikut.

Mbi 30 plumba përfunduan në trupin e viktimës, duke e lënë të vdekur në vend, pjesa më e madhe e të cilave kanë goditur kokën dhe trupin e tij.

Bardhok Pllanaj dhe policia e Shkodrës në vendngjarje

Bardhok Pllanaj, lëvizte i vetëm në makinën e tij tip “Range Rover” ngjyrë e zezë, ku pas atentatit, makina ka lëvizur në gjendje të lirë dhe është përplasur me oborrin e një biznesi në anë të rrugës.

Mësohet se gëzhojat janë shpërndarë në rrugë si pasojë e breshërisë së armëve me të cilat 46-vjeçari u qëllua pa mëshirë.

Gëzhojat e plumbave të automatikut në rrugë pas atentatit

Policia lokale e ndihmuar edhe nga FNSH kanë rrethuar kryeqendrën e veriut, por deri tani kanë gjetur vetëm një makinë të djegur, jo shumë larg vendit të ngjarjes.

Brenda mjetit tip “Passat” me targa italiane, u gjetën edhe dy kallashnikovë që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të qëlluar ndaj Pllanajt.

Automjeti i dyshuar i atentatorëve, i cili u gjet i djegur jo shumë larg vendit të ngjarjes

Edhe pse është ende herët, pista kryesore në tryezën e grupit hetimor është hakmarrja, nisur nga dënimet dhe problemet e viktimës në të shkuarën.

46-vjeçari është në emër shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, por edhe atë belge.

Një vit më parë Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë, pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar për disa vepra penale, mes të tjerash në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Pllanaj ishte kryefjalë e politikës shqiptare në vitin 2014, pasi u akuzua për trafik droge, por i shpëtoi arrestimit.

Asokohe u raportua se ai u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku për t’iu shmangur arrestimit.

Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë