Lajme

Tritoli në shtyllën e tensionit të lartë, shoqërohen 5 persona në Fushë-Krujë

Policia ka shoqëruar 5 persona si të dyshuar për shpërthimin me eksploziv në shtyllën e tensionit të lartë në afërsi të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.
Mësohet se të dyshuarit janë kontingjente dhe elementë të dyshuar jo vetëm për këtë akt.
Shtylla e tensionit të lartë që u hodh dje në erë shërbente për furnizimin e linjave Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Prizren.
Ministria e Brendshme në një njoftim e cilësoi një “akt terrorist” vënien e tritolit te njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë 400 KW e linjave Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Prizren. Po ashtu, ministria bëri me dije se kanë nisur hetimet për vënien përpara drejtësisë të personave përgjegjës. Gjithashtu u njoftua se po punohet edhe për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Sipas policisë pas hetimeve u konstatua se shtylla ishte dëmtuar me lëndë eksplozive.
Për shpërthimin në shtyllën e tensionit të lartë pati edhe akuza të ndërsjella mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila e dha lajmin e para sulmoi në mënyrë indirekte Partinë Demokratike, duke e akuzuar se frymëzon autorët e hedhjes në erë të objektit në zonën e Fushë-Krujës.
Akuza ndaj Partisë Demokratike ka hedhur edhe kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, që në një postim në Facebook ia faturoi përgjegjësinë e këtij akti kreut të PD-së Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Por, PD ka hedhur poshtë akuzat duke shprehur keqardhje për këtë shpifje, sipas saj, të kryeministrit Edi Rama dhe znj. Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë