Sociale

Tritan Shehu: Njerëzit duhet të dalin, kanë nevojë urgjent për diell

Dëshira e njerëzve për të dalë nga shtëpitë e tyre nuk ka të bëjë vetëm me mërzinë, por ka edhe motive mjekësore.

Mos ekspozimi ndaj rrezeve të diellit, sjell mungesë të vitaminës D. Mjeku Tritan Shehu sugjeron lejimin e daljes në natyrë të qytetarëve, pasi ekspozimi në temperaturë të larta ndihmon edhe në betejën ndaj Covid-19. 

"Virusi në temperaturat e larta dhe në kontaktet me lagështirën, fillon të shkatërrohet. Ndërkohë, OBSH ka dhënë një lajm që më shqetëson, që kontaminimi po fillon të realizohet në ambientet e mbyllura familjare", thotë ai për A2.  

Shehu thotë se autoritetet duhet të përgatisin sa më parë rregullat që mundësojnë daljen në natyrë të qytetarëve. “Njerëzit duhet të marrin sa më shumë kontakte me natyrën, hapësirat, detin. Të përgatitet sa më shpejt një protokoll i qartë masash në këtë drejtim”, thotë mjeku.

Ekspozimi ndaj diellit është më i nevojshëm te fëmijët. Por çfarë efekte sjell tek të vegjlit mungesa e vitaminës D? “Në fashat e lejuara, prindërit mund të ekspozojnë fëmijët jashtë, në vende pak të populluara”, sugjeron mjekja Esmerlada Skuka.

 Mungesa e vitaminës D, sipas saj, sjell probleme të ndryshme, ku mund të veçohen “problemet e zhvillimit të kockave, si rakiti, sëmundje e rrallë tashmë”.

Mjekja rekomandon edhe ushqimet që janë të pasura me vitamina D. “Qumështi, bulmeti, vezët, mishi, dhe të gjitha zarzavatet e ndryshme  që mund të marrin fëmijët”, thotë Skuka.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë