Futboll

Tri sfida “zjarri” sot në Superiore, dy për Europën dhe një për mbijetesën

Nga katër ndeshje që i kanë mbetur Superiores çdo javë pas përjashtimit të Kamzës, në javën e parë të fazës së fundit tre prej tyre mund të konsiderohen pa frikë sfida “zjarri”, dy për Europën dhe një për mbijetesën. Tirana, skuadra që nuk zbret në fushë këtë javë dhe që ngjitet automatikisht në kuotën e 33 pikëve, “lutet” që Kastrioti rival të mos fitojë në ndeshjen me Luftëtarin, një tjetër rival në luftën e fortë të qëndrimit në elitë. Ndeshja e Fushë-Krujës ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për rezultatin, por edhe për atë çfarë ka ndodhur së fundi në ndeshjet e skuadrave që synojnë mbijetesën. Krutanët, që në këtë “fortesë” kanë mundur edhe ekipet e kreut të renditjes, duan me çdo kusht të shkurtojnë diferencën me gjirokastritet dhe Tiranën, për të pasur më shumë mundësi parakalimi në javët në vazhdim.

Normalisht, ndeshjet e fazës së fundit të kampionatit duhej të luheshin në të njëjtin orar, por në Shqipëri rregullat nuk zbatohen zakonisht dhe FSHF-ja i ka ndarë në dy orare të ndryshme. Mjaft interesante është gara për Europën, ku Teuta, Laçi dhe Flamurtari luajnë për dy vende (ndikon edhe fituesi i Kupës në këtë objektiv). Laçi pret Kukësin, që duket se e ka fjetur mendjen sa i takon titullit, por tashmë, me një tjetër trajner në stol, Ernest Gjokën, do të kërkojë rezultatin pozitiv. Teuta, që po kalon një moment shumë delikat në javët e fundit, ka vënë në pikëpyetje vendin e tretë. Ajo shkon në fushën e Flamurtarit rival, ku fitorja e vlonjatëve do të thotë parakalim në renditje i durrsakëve. Teuta konfirmoi trajnerin Shkëmbin pas humbjes së thellë në Laç dhe sot pritet një reagim në fushë.

Nga një ndeshjes mes Laçit dhe Kukësit këtë sezon

Partizani-Skënderbeu duhej të ishte ndeshja më e rëndësishme e javës së 28-të të Superiores, por për nga mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet, del paksa në plan të dytë. Të kuqtë po presin që matematika t’u japë titullin kampion, por ndaj Skënderbeut është edhe një ndeshje prestigji, pasi luhet ndaj kampionëve në fuqi dhe aq më tepër që ekipi i Gegës vjen pas humbjes me Luftëtarin në shtëpi. Korçarët, me shpresën se KAS-i do t’i nxjerrë të pafajshëm, duan të zënë një vend që të çon në Europë, ndërkohë që një rrugë më e shkurtër për ta është Kupa e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë