Kombetarja

Pas 3 orësh takim në hotel, Duka shkarkoi Panuçin

U duk edhe mbrëmë pas asaj humbje zhgënjyese me Turqinë, që një krisje kishte ndodhur mes trajnerit Panuçi dhe FSHF. Por drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit vendimin për shkarkimin e trajnerit italian e kanë marrë mëngjesin e sotëm.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Kristian Panuçi. Ndër të tjera FSHf shkruan se e falënderon trajnerin Panuçi për punën e zhvilluar deri më tani dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës. Në njoftim nuk bëhet asnjë sqarim i detajeve të prishjes së marrëveshjes me trajnerin italian, duke qenë se ai kishte një kontratë deri në fundin e këtyre eliminatoreve.

Sakaq në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë, ekipi kombëtar do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual. Panuçi ishte trajner i ekipit kombëtar të Shqipërisë që nga viti 2017, kur pasoi në stolin e ekipit kuqezi ish-trajneri Xhani De Biazi.

Panuçi i qetë edhe pas kësaj lloj humbje

Menjëherë pas humbjes në këtë ndeshje të parë eliminatore të kampionatit europian 2-0 me Turqinë trajneri i kombëtares Kristian Panuçi, duke folur për mediet nuk ka shprehur asnjë shenjë largimi apo dorëheqje. Tekniku italian u duk i vetëdijshëm për cilësitë e ekipit të tij, duke thënë se ky është grupi që ne kemi dhe nuk mund të kërkojmë dot më shumë. Për trajnerin e kombëtares, loja u humb për më tepër për faj të gabimeve të ekipit tonë dhe për shkak të mos të realizimit të rasteve e pjesës së parë.

“Krijojmë pak, nuk bëjmë gol nuk shkojmë para portës. Kundërshtari shënoi dy gola në dy raste. Kjo është skuadra, kemi falur dy gola. Kërkuam të japim disa ekuilibra. Sadiku nuk ishte në formën e duhur edhe Roshi. Pjesën e parë e nisëm mirë dhe krijuam raste por erdhi goli i parë dhe rezultati tregon se ishin ata që na shënuan. Në pjesën e dytë treguam shumë pak dhe diferenca fizike ka qenë shumë e dobët me vetëm një gjuajtje portë. Në pjesën e parë kishim mundësi por nuk mundëm të shënonim.”- tha trajneri i kombëtares.
Trajneri Panuçi ka komentuar edhe koret e tifozëve e tifozëve gjatë ndeshjes, sidomos pas pësimit të golit të dytë. Ai tha se i mirëkupton tifozët, por se kjo është gjendja e ekipit me të cilin ai punon.

“E respektoj publikun, por këta janë lojtarët që do të vazhdojmë në ndeshje të tjera. E kuptoj publikun që acarohet dhe shpresoj të reagojmë. Është e vështirë, sot futa 2 sulmues në lojë, por nëse nuk shënojnë, këto janë lojtarët, kjo është skuadra.”- tha Panuçi.

Hysaj dhe Uzuni kanë ende besim

Përtej të gjithë atmosferës së nderë që ishte krijuar dhe dukej në fytyrat e lojtarëve pas ndeshjes, kapiteni i ekipit kombëtar në këtë ndeshje, Elseid Hysaj tha se skuadra jonë ende mbetet në garë në këto eliminatore. “Jemi akoma në garë. Kemi probleme, por nuk mund të thuhet se nuk luftojmë. Po bënim një ndeshje të mirë deri në momentin që pësuam golin. Duhet të gjejmë një balancë mes sulmit dhe mbrojtjes. Shpresojmë t’i korrigjojmë gabime kundër Andorrës. Goditja e Berishës nga tifozët ishte një gabim, tifozët kërkuan falje. Shpresoj që ekipi të mos penalizohet”, ka thënë Hysaj.

Ndërsa një nga lojtarët më të spikatur të kësaj ndeshje, sulmuesi Uzuni tha se gabimet e pjesës së parë ishin shumë penalizues. “Rasti i humbur në pjesën e pare na penalizoi shumë. Mendoj se kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, pavarësisht se u ndëshkuam nga një gjysmë gabim. Ne nuk jemi Spanja, që të shpërdorojmë aq shumë raste. Në pjesën e dytë u futëm me vrull, por goli i shpejtë i pësuar na demoralizoi. Mbrojtja e tyre ishte në vështirësi, por nuk arritëm të përfitonim”.

Panuçi u harrua nga autobusi dhe takim 3 orë me Dukën

Pas ndeshjes Panuçi u duk i qetë dhe si rrallë herë ka qëndruar gjatë me të gjithë gazetarët që e pyetën, por edhe e provokuan të gjitha mënyrat e mundshme. Kjo lloj sjellje dhe kohë e gjatë me gazetarët për pak sa nuk e la në këmbë. Mësohet se autobusi i ekipit kombëtar ka marrë të gjithë lojtarët dhe është nisur drejt hotelit, por pa Panuçin. Është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë së stadiumit që i sinjalizuan shoferit për mungesën e trajnerit italian, i cili më pas iu bashkua ekipit në autobus.

Me të mbërritur në hotel, bëhet me dije se aty ka nisur një takim maratonë me presidentin e FSHF-së, Armando Duka. Pasi kanë diskutuar gjatë mes tyre, mëngjesin e kësaj të shtunë FSHF njoftoi arritjen e akordit për ndërprerjen e marrëdhënieve me trajnerin italian. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur në këtë takim kokë më kokë mes Panuçit dhe Dukës, nëse është një shkarkim apo një ndërprerje bashkëpunimi me mirëkuptim. Nëse bëhet fjalë për një shkarkim, FSHF do jetë e detyruar ta paguaj Panuçin deri në fund të kontratës.

 

Më Shumë