Futboll

Tri miqësore luksi në 6 ditë, Partizani mat forcat me turq e kroatë

Prej disa ditësh Partizani është zhvendosur në Antalia, ku po zhvillon fazën përgatitore dimërore. Ekipi që kryeson Superioren ka zgjedhur këtë vend për t’u përgatitur në kushte optimale për dy fazat e dyta të kampionatit. Në program janë edhe tri ndeshje miqësore, që do t’i shërbejnë trajnerit Skënder Gega për të parë më mirë gjendjen e çdo futbollisti. Kundërshtarët janë elitarë dhe mund të konsiderohen miqësore luksi.


Të kuqtë do të ndeshen me dy skuadra të Superligës turke, Sivasporin dhe Antaliasporin, si dhe me skuadrën e madhe kroate Dinamo Zagreb. Testi i parë zhvillohet më datë 9 janar ndaj Sivasporit, që aktualisht mban vendin e 9-të në kampionat. Pas dy ditësh, më 11 janar, është planifikuar ndeshja me Antaliasporin e vendit të 6-të në kampionatin turk, ndërsa më 14 janar luhet miqësorja e fundit me Dinamon e Zagrebit, që po zhvillon fazën përgatitore në Turqi. Gjigantët kroatë kryesojnë bindshëm kampionatin e tyre. Ngarkesa do të jetë e madhe për lojtarët e Partizanit, pasi tri ndeshjet miqësore do të luhen brenda 6 ditësh dhe trajneri Gega do të ketë mundësinë t’i aktivizojë të gjithë futbollistët që ka në dispozicion.

Nga përgatitjet e Partizanit në Turqi

Drejtuesit e Partizanit janë aktivë edhe në merkato. Pasi kanë firmosur me Fatjon Jusufin dhe Alesio Hysenin, ata janë në kërkim të një sulmuesi me kualitet, i cili do të jepte garanci për golat e titullit kampion.

Tri miqësoret e Partizanit në Antalia
09.01.2019 Sivaspor – Partizani
11.01.2019 Antaliaspor – Partizani
14.01.2019 Dinamo Zagreb – Partizani


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë