Ngjarje

“Tri ditë pa ngrënë”. Palestinezi kapet për vjedhje, por s’dihet çfarë vodhi

Kur bota po kalon ditë të vështira për të vendosur nën kontroll pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, shumë shtetas që vijnë nga vendet e luftës kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Gazeta “Si” ka ngritur shpesh shqetësimin veçanërisht për sirianë e agfanë që konstatoheshin duke u endur në grupe në kërkim të ushqimit dhe të një strehe. Më herët kur vendi sapo ishte futur në karatinë, Gazeta “Si” filmoi dhe intervistoi tre shtetas nga Palestina, të cilët treguan se nuk kishin ushqim në qendrën ku ata mbaheshin dhe se koronavirusi ua kishte rënduar akoma më tej mbijetesën në Shqipëri.

LEXO EDHE:
- Refugjatët e luftës enden rrugëve të Tiranës
- Klandestinët lëshohen nga “zinxhirët”, nisin të vjedhin Tiranën
- Vidhnin në lokale, dyqane e farmaci. Arrestohen dy palestinezë

Sot Gazeta “Si” do të sjellë historinë penale të një 30-vjeçari nga Gaza, i cili u kap teksa po tentonte të vidhte diçka për të ngrënë dhe që ka përfunduar i arrestuar. I ndarë nga familja që ka vazhduar udhëtimin drejt Bashkimit Evropian, Amar Harkati u kap nga policia sapo hyri në Shqipëri. Por në tentativë për të vjedhur ushqim, ai do përballet me probleme të tjera - thanë burime të Gazetës “Si” - ndonëse dosja e tij ka mjaft probleme, pasi aty nuk përshkruhet aspak se çfarë vodhi konkretisht.
Siç njofton një burim policor pranë komisariatit numër 4, i prangosuri Amar Harkati ka lindur në Gaza (Palestinë) dhe banon në kampin e azilkërkuesve në Babrru. Të mësuar me hajdutë të vegjël, për policinë i tillë është edhe Amar. Ndaj policinë nuk e ka habitur aspak përfshirja e azilkërkuesit në ngjarje sesa rrëfimi i tij.
“Kam tri ditë pa ngrënë, doja të haja diçka, kam dhimbje të forta në stomak nga mosushqyerja”, ka pohuar 30-vjeçari në prani të një përkthyesi. Amar është konstatuar nga një banor me inicialet E.S., i cili ka dëgjuar zhurma në shtëpinë e tij dhe pasi ka zbritur, në një lokal të mbyllur nga pandemia, ka konstatuar një person të veshur me të zeza që po përpiqej të kapërcente kangjellat.

Dëshmitari që njoftoi policinë thotë: “Lokali është i shtetasit K.G. që gjendet në Rrugën e Dibrës dhe më kishte thënë se i kishin vjedhur disa artikuj ushqimorë edhe disa ditë më parë. Në atë moment konstatova një person me trup mesatar me gjatësi rreth 170 cm, ai po karavirrej. Në momentet që më pa ai u largua me vrap, e ndoqa me vrap duke i bërtitur të ndalonte, por ai nuk fliste. Mori drejtimin nga Farmacia 10 dhe, pasi e ndoqa, tek Konviktet e Mjekësisë pashë një patrullë policie. Unë u bërtita, u thashë “kapeni se është hajdut”, ata u vunë në ndjekje dhe arritën ta kapin. Aty kur policia po e pyeste konstatova se ai nuk fliste shqip”.
Gjatë verifikimeve të mëtejshme të policisë kur efektivët kanë konstatuar se nuk po kuptonin asgjë nga fjalët e të riut, është zbuluar se hajduti ishte nga Palestina.
Amar rrëfeu jetën e tij, që pavarësisht notave të trishta nuk e shpëtojnë atë nga përgjegjësia. Ndonëse ai u arrestua në kushtet e flagrancës, fati i tij do të varet nga mëshira e prokurorëve dhe e gjyqtarëve që do të trajtojnë masën e sigurimit personal.
Amar shpjegon: “Isha tek lokal F., kërkova diçka për të ngrënë. Doja të haja bukë. Çdo gjë është mbyllur. Kam tre ditë pa ngrënë dhe kam dhimbje të forta stomaku nga uria. U afrova tek lokali, tentova të hap derën, doja të gjeja diçka për të ngrënë. Por nuk gjeta asgjë dhe kur po ikja, një person me shkop në dorë mu vu pas. Kam ikur me vrap sa kam mundur nga frika derisa më kapi patrulla e policisë, ndërsa ai personi po më ndiqte me nxitim. Unë jetoj në Kampin e Babrrusë, kam një muaj e gjysmë që kam ardhur në Shqipëri. Ndërsa gruan dhe djalin i kam në Bosnjë”.

Policia shpjegon për Gazetën “Si” se ka këqyrur edhe kamerat e sigurisë, ku dallon një person me të zeza që tenton të ngjitet në parmakët e lokalit. Ai tenton disa herë - shpjegon agjenti i policisë për Gazetën “Si” - pastaj qëndron pak dhe ulet në trotuar dhe më pas tenton të hipë përsëri. Pasi tenton disa herë, kamera e tregon “hajdutin” teksa zbret dhe ikën me vrap. Menjëherë sapo materialet të përcillen në prokurori, Amar Harkati do të dalë para Gjykatës nën akuzën e vjedhjes; edhe pse vetë efektivët e kanë të paqartë të përcaktojnë në fashikull se çfarë ka vjedhur saktësisht azilanti nga Gaza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë