Treg

Tregu imobiliar: Pas pandemisë janë liruar më shumë zyra e dyqane për qira

Tregu i pasurive të paluajtshme si çdo treg tjetër është goditur nga kriza e shkaktuar nga izolimi që u bë prej pandemisë, ndërsa të dhënat tregojnë se ai po rindizet ngadalë.

Por fenomeni që është vënë re këto kohë, sipas agjentëve, është oferta e rritur për mjedise komerciale me qira.

Dritan Leka, Century 21.

“Ne kemi risnisur si të gjithë, por nuk i jemi rikthyer normalitetit. Puna ecën ngadalë. Qiratë vazhdojnë normalisht dhe vihet re shtim i ofertës në qira të pronave komerciale. Pra, janë liruar shumë ambiente, dyqane”, thotë për gazetën “Si” Dritan Leka nga “Century 21”.

Por ai nuk mund të konfirmojë nëse mjediset e liruara me qira të bizneseve janë si rezultat ose jo i falimentimit të tyre.

“Gjithashtu - shton Leka - po bëjmë transaksione në vlera të vogla, shitje maksimumi deri në 100 mijë euro”.

Por çmimet nuk kanë lëvizur në këtë treg, ndërkohë që kriza në BE në tregun e Pasurive të Paluajtshme është reflektuar ndryshe duke shkaktuar rritjen e çmimeve me 5,5 % në tre muajt e parë të këtij viti.

Juliana Nela, nga RE/MAX, shpjegon se në këtë krizë priste që tregu të reagonte me ulje çmimesh. Por sipas saj zotëruesit e pronave nuk arrijnë ta perceptojnë realitetin.

Juliana Nela, Re/MAx

“Ne aktualisht po procesojmë kërkesat që kemi pasur gjatë izolimit. Çmimet nuk kanë ndryshuar. Shqiptarët besojnë në mrekulli, nuk e kuptojnë që situata ka ndryshuar. Qiratë kanë lëvizur shumë”, thotë Nela.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe eksperti Dritan Ballgjini, i cili pohon se pavarësisht rikthimit dhe se diçka ka nisur të lëvizë tashmë, puna ecën ngadalë.

“Nuk jemi në një moment të mirë, por nuk shohim rënie të çmimeve. Blerësit janë bërë më të zgjuar, po kërkojnë privatësi me objekte në ndërtim, të cilat e ofrojnë këtë mundësi të tipit vila, ose komplekse mikse me ndërtime vila apo apartamente. Periferitë e Tiranës si Fresku dhe Astiri kanë lëvizje lidhur dhe nga çmimet, shkojnë rreth 850 euro metri katror”, thotë Ballgjini. Ai shprehet se bregdeti ka  një rritje të shumëfishuar të kërkesës dhe çmimive, me një rritje të konsiderueshme, sidomos në jug të vendit në rezortet që janë në ndërtim ose të përfunduara.

Dritan Ballgjini

Ai mendon se është ende  herët për të parë ndikimin e krizës tek çmimet pasi kjo çështje “është lidhur ngushtë me shtyrjen e kësteve të kredisë që Banka e Shqipërisë ka nënshkruar me bankat e nivelit të dytë”. “Ata të cilët kanë ndjerë rrezikun tashmë i kanë nxjerrë pronat e tyre në shitje”, thotë Ballgjini.

Për ekspertët, e ardhmja është e pasigurt dhe e paqartë për ekonominë në tërësi dhe për tregun e pasurive të paluajtshme në veçanti.

Juliana Nela e RE/MAX thotë se rritja e tregut do të varet nga hapja e kufijve dhe ardhja e emigrantëve.

Kurse Dritan Ballgjini thotë se “Fundi i shtatorit ose tetori dhe vala e dytë e Covid-19 nëse do të ketë një të tillë, do të jetë vdekjeprurëse për ekonominë dhe normalisht do të ketë pasoja shumë më të rënda në tregun tonë. Presim të shohim, por një mbyllje e dytë do të ishte katastrofike.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë