Ekonomi

Tregtia e jashtme u rrit gjatë 2021-shit, energjia kontribuesi kryesor

Për të gjithë vitin 2021, eksportet arritën në vlerën e 369 mld lekëve me 35.6% rritje nga viti 2020, ndërsa importet arritën vlerën e 801 mld lekëve, me rritje vjetore 32.3%.  Sipas grafikut të Instat, tregtia  jashtme e dhjetorit 2021 ka kaluar dhe nivelet e dhjetorit 2018-2019, vitet e fundit pa pandemi.

Deficiti tregtar për të gjithë 2021-shin rezulton 432 mld lekë, në rritje me 29.6% nga 2020-a.

Në dhjetor 2021, eksport-importet e mallrave në Shqipëri arritën në vlerën e 120 mld lekë, nga të cilat 32 mld ishin eksporte dhe 88 importe.

Eksportet ishin në rritje nga e njëjta periudhë e një viti më parë me 38.2%, por në rënie nga nëntori i të njëjtit vit, me -14.5%. Importet rezultuan me rritje vjetore dhe mujore, respektivisht 46.1% dhe 29.5%.

Në raportin mujor, nga dhjetori 2020 në dhjetorin e 2021-shit, ndryshimi i eksporteve ka ndikuar grupi i lëndëve djegëse, energjisë elektrike dhe mineraleve, me 38.2%, ndjekur nga veshjet dhe këpucët me 8.2% dhe materialet e ndërtimit me 7.1%.

Ndërsa në ndryshimet vjetore tek eksportet ka ndikuar më së shumti materialet dhe lëndët e ndërtimit me 14.1%, energjia elektrike, lëndët djegëse me 10.8% dhe veshjet e këpucët me 3.7%.

Rritja e importeve gjatë dhjetorit 2021 nga ai i 2020-s, u ndikua më së shumti nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me 18.7% kontribut. Materialet e ndërtimit me 6.3% dhe produkte të plastikës me 4.9%.

Në raport vjetor, në rritjen  e importeve ka ndikuar përsëri grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me 8.4% dhe makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit me 6%.

Italia dhe Greqia mbeten partnerët kryesorë të Shqipërisë për tregtinë  e jashtme, gjatë të gjithë 2021-shit dhe muajit dhjetor. Por ka pasur një rritje prej 140% në eksportet me Gjermaninë dhe rritje të importeve me 52% me Turqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë