Treg

Tregtarët paralajmërojnë sërish rritje të çmimeve të fruta-perimeve

Nga Gazeta ‘Si’-Çmimet e rritura të prodhimeve bujqësore jo vetëm që nuk do të kenë një kthim pas por parashikohet të shtrenjtohen sërish më tej.

Lajmi i trishtë për konsumatorët e ka burimin jo vetëm nga shitësit e vegjël në Tiranë por edhe nga fermerët të cilët deklarojnë me shqetësim për Gazetasi.al se ky do të jetë normaliteti i ri.

Faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë janë të shumtë sipas tyre, të brendshëm dhe të jashtëm, duke nisur nga rritja e kërkesës për eksporte, numri i lartë i turistëve, rënia e popullsisë rurale, dëmet klimatike dhe kapacitetet e kufizuara për të zgjeruar prodhimin.

Situata u duk që do të shkonte kështu që kur prodhimet bujqësore, ndonëse në kulm të sezonit të prodhimit të tyre, u tregtuan më shtrenjtë se kurrë.

Në korrik, një kilogram domate në stendat e tregjeve me pakicë u shit me 200 lekë. Kjo sepse në fusha pati një dëmtim me afërsisht 40% të kësaj kulture.

I ftohti që zgjati deri vonë, sidomos në muajt ku domates i duheshin temperatura më të larta tkurri ndjeshëm prodhimin e saj. Në këtë situatë, fermerët patën më shumë interes që ta nxirrnin domaten për eksport sepse pikat e grumbullimit në vendin tonë e blenin kilogramin me një çmim shumë të ulët.

Ndër vendet kryesore ku Shqipëria eksporton domate janë Serbia me rreth 41.2% e cila më pas i rieksporton, Italia me rreth 18%, Bullgaria me 13% dhe shtete të tjera të rajonit. Në pjesën dërrmuese, Shqipëria eksporton për subjekte të ndërmjetme që i përdorin për t’i përpunuar në formë salce.

E njëjta gjë ndodhi edhe me qepën e kuqe. Eksporti i qepës drejt vendeve të rajonit dhe ulja e prodhimit në qarqet kryesore që e prodhojnë atë për shkak të reshjeve të shumta, kryesisht Korçës, solli në mënyrë atipike rritjen e çmimit të saj në vend.

Kështu, për fermerët ndryshimet ekstreme të klimës i kanë shndërruar investimet në bujqësi në “bixhoz”, pasi fenomenet natyrore në pak sekonda shkatërrojnë punën e tyre të gjithë vitit.

Kurba e çmimeve në rritje do të vijojë

Fermerët presin që këtë vit, të gjithë frutat dhe sidomos molla, të prodhojë më pak për shkak të dëmtimit nga breshëri, ngricave në veri në kohën e lulëzimit dhe vrugut.

Kjo do të bëjë që një kg mollë në stendat e fruta-perimeve të tregtohet me 200 nga 80-150 lekë që tregtohej vitin e shkuar, varësisht varietetit.

E njëjta rritje pritet edhe për çmimin e zarzavateve.

Mollë në treg, vitin e shkuar (dhjetor, 2022)

“Ndryshimet klimatike po na dëmtojnë shumë. Kur duhet ftohtë, bën ngrohtë dhe pastaj në pranverë bën ngricë dhe ka reshje shiu që zgjasin deri në fund të qershorit. E gjithë kjo situatë e ka çrregulluar ciklin e prodhimit të produkteve bujqësore ndaj edhe në dimër do i tregtojmë më shtrenjtë se vitin e shkuar të gjithë frutat dhe zarzavatet”, thotë për Gazetasi.al Naim Bana, një fermer nga Dibra i cili shton se ky do jetë viti më i vështirë për frutikulturën dhe se "çmimet e larta erdhën për të mos ikur."

Sipas tij, prodhimi i mollëve këtë vit është ulur me 50%.

Një tjetër faktor sipas ekspertëve të bujqësisë është edhe presioni në rritje nga tregjet e jashtme,

Spanja parashikon rënie me 20% të prodhimit të agrumeve nga thatësira, po ashtu Italia e Turqia. Në përgjithësi në gjithë BE-në, prodhimi është në rënie me 10-20% nga faktorët klimatikë.

Kjo rënie e prodhimit në Bashkimin Europian ka rritur kërkesën për prodhime bujqësore jashtë BE-së dhe Shqipëria po eksporton drejt tyre.

Në tregun vendas, çmimet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje në të gjithë zinxhirin që nga prodhimi deri te shitja me pakicë. Sipas matjeve të INSTAT, në vitin 2022, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore, një tregues që mat çmimet në ferma (pa taksat) shënoi rritje me 11.1%.

Kjo ishte rritja më e lartë që kur INSTAT nisi të masë çmimet e prodhimit në bujqësi në vitin 2016.

Në një studim të posaçëm për inflacionin në Ballkanin Perëndimor këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri në dukje se, efektet e inflacionit në Shqipëri dhe në Ballkan janë më të ashpra se në Bashkimin Europian, pasi rritja po udhëhiqet nga çmimet e ushqimeve, ndryshe nga Europa që është ndikuar nga energjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë