I vetmi rezultat pozitiv e ligjor që prodhoi konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës me kryetar Glauk Konjufcën është hapja pas thuajse 3 muajve e rrugës së marrjes së mandatit prej Hashim Thaçit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, por pa dhënë asnjë garanci për një shumicë të qëndrueshme në Parlament.
Në lojë janë tre skenarë që pritet të luhen që në ditët e para të vitit të ri dhe në varësi se cili skenar do të jetësohet do të përcaktohet edhe si qeverisja, ashtu edhe vetë stabiliteti i Kosovës.
Skenari i parë, që duke marrë shkas nga deklaratat dhe qëndrimet publike të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike këto ditë duket më i realizueshmi është ai që LDK t’i ofrojë pa asnjë marrëveshje Albin Kurtit votat për formimin e Qeverisë së re, por pa marrë vetë pjesë në këtë Qeveri.
Me këtë skenar, LDK dorëzon çelësat e pushtetit dhe të përgjegjësisë vetëm tek Vetëvendosje. Kjo do të thotë se Albin Kurti do të ishte në krye të një qeverie minorance dhe me duart e lidhura nga LDK për të kaluar ligje, apo vendimet për të cilat është zotuar gjatë programit elektoral.

Në këtë skenar, duke qenë e përjashtuar nga ndarja e pushtetit edhe e përgjegjësisë së qeverisjes, por edhe e padetyruar moralisht nga një marrëveshje me Vetëvendosjen, LDK do t’i kishte duart e lira që ta rrëzojë Qeverinë “Kurti” që në ditën e parë të punës, përmes një mocioni mosbesimi në Parlament.
E thënë më thjeshtë, nëse Qeveria e re do të ngrihet sipas kësaj rruge, pasoja e parë do të jetë një Qeveri e brishtë, që nuk premton as qëndrueshmëri, as jetëgjatësi dhe për më tepër as mirëqeverisje të vendit. Këto do të ishin pasojat e brendshme, të cilave do t’u bashkangjiteshin edhe pasojat e jashtme, që do të dobësonin shtetin e ri të Kosovës përballë politikës agresive serbe kundër saj.
Skenari i dytë është ai që nuk përjashton një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit e ka lënë ende të hapur derën e një ujdie, që mund të jetë qoftë edhe e minutave të fundit.
Ditët festive të fundvitit mund të ndryshojnë qëndrimet e ngurta të deritanishme të dy partive. Kjo do të thotë, që ose Vetëvendosje mund të vendosë që të tërhiqet nga posti i kryeparlamentarit dhe t’i premtojë LDK-së dorëheqjen e Glauk Konjufcës, ose LDK të “sakrifikojë” postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të marrjes së Presidentit në përfundim të mandatit të Hashim Thaçit.
Në pamje të parë ky skenar duket sikur garanton një shumicë të qëndrueshme dhe një qeverisje afatgjatë, por përvojat politike në Kosovë dhe në Shqipëri kanë treguar në shumë raste se marrëveshjet e minutës së fundit më shumë se shtet duket se prodhojnë pushtet për palët e përfshira në të.
Kjo do të thotë se një marrëveshje e kurdisur keq nga nxitimi i afateve kohore që vendosin ligjet mund të çojë shpejt në krisje të koalicionit dhe rrëzimin e Qeverisë. Pra, as në këtë skenar Qeveria e re e Kosovës nuk premton qëndrueshmëri afatgjatë.
Skenari i tretë është më i komplikuar dhe në dukje më i dëmshmi për qytetarët. Brenda këtij skenari mund të jetësohen dy miniskenarë. I pari është që LDK të mos mbështesë Albin Kurtin në Kuvend dhe Vetëvendosja të dështojë, që brenda 15 ditëve, siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës, të sigurojë e shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë.
Përfundimi i këtij mandati aktivizon pikën 4 të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilës Presidenti brenda dhjetë ditëve emëron kandidatin tjetër nga partia apo koalicioni i renditur i dyti. Kjo do të thotë se radha do t’i kalonte Isa Mustafës.
E kur zihen dy vetë, një i tretë përfiton. Kjo do të thotë se me mandatimin e LDK-së për të formuar qeverinë e re nuk përjashtohet përfshirja në negociata edhe e faktorëve të tjerë politikë. Njëri prej tyre është edhe Partia Demokratike e Kosovës. Zëra nga Vetëvendosje kanë akuzuar Isa Mustafën se po negocion fshehurazi me Kadri Veselin. Deri më tani janë vetëm zëra, por sipas fjalës së urtë “ku ka zë, s’është pa gjë” ky skenar nuk mund të përjashtohet.
Me PDK-në dhe aleatët e tjerë të kësaj force, LDK do të siguronte shumicën e nevojshme në Parlament, do të merrte postin e Kryeministrit, por me gjasë duke lëshuar postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të Presidentit. Isa Mustafa e ka deklaruar në më shumë se një rast se ndarja e drejtë e pushtetit dhe e përgjegjësive që burojnë prej tij është që partia që merr Kryeministrin të lëshojë kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që edhe Isa Mustafa të dështojë në formimin e Qeverisë së re dhe Kosova të shkojë brenda 40 ditëve në zgjedhje të reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.