Atletike

Tre shpërblime të panjohura nga Ministria, kampionia Luiza Gega: Ndihem e fyer!

Gazeta Si – Disa shpërblime të pamarra dhe të panjohura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë bërë që Luiza Gega, atletja jonë më e mirë, fituese e disa medaljeve ndërkombëtare vitet e fundit, të shpërthejë publikisht. Fillimisht me një status në rrjetet sociale, ndërsa sot ajo ka sqaruar me detaje çështjen.

Gega sqaron se Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk i njeh tre lloj shpërblimesh, që ajo gjykon se i takojnë: “Kam një vit e gjysmë që pres. Kam bërë kërkesa me shkrim, individuale dhe me anë të federatës, përgjigja ka ardhur me vonesë dhe ka qenë negative.

Luiza Gega feston pas nje fitoreje. Gazeta Si, 15 janar 2024

Gjithë problemi është te zbatimi i vendimeve për shpërblimet. Janë tre shpërblime që nuk po i marr dot. Janë shpërblime që më takojnë, nuk kërkoj asgjë që nuk më takon. Nuk kërkoj as premtime që nuk i përfshin ligji apo VKM-ja, por atë që përmban ligji për sportin shqiptar.

Në vitin 2022 vendosa rekord ballkanik në Bëtëror, 3000 metra me pengesa. Federata Botërore e Atletikës e njeh si rekord në një aktivitet që ajo organizon. Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk e njeh si rekord, edhe pse aty nuk thuhet se rekordi ballkanik duhet thyer në një kampionat ballkanik.

Ministria na kthen përgjigje: mendoj që rekordi ballkanik duhet thyer në kampionat ballkanik. Për ta bërë të qartë: 95% e rekordeve nuk vendosen në aktivitetet përkatëse, por në Diamond League, Gold League. Rekordi europian i maratonës, për shembull, është thyer në Çikago. Ministrja ime nuk e njeh si shpërblim këtë”.

Atletja kampione pastaj thekson më tej se është ndjerë e fyer, kur ka mësuar se nuk i njihet rekordi ballkanik, sepse mungon shkresa e përgjigjes së kontrollit anti-doping: “Pika tjetër, ku kam hasur vështirësi dhe madje ndihem e fyer, është se në tetor të vitit 2023 u zhvillua kampionati ballkanik në Bullgari, ku mora pjesë edhe unë dhe dola kampione.

Ka një pikë, që për këto medalje ministria kërkon një letër shoqëruese për përgjigjen e kontrollit anti-doping që të japë shpërblimin. Por jo në çdo aktvivitet agjencia të merr për kontroll anti-doping, është e pavarur nga federata botërore. Monitoron sportistët, siç jam edhe unë e monitoruar. Në atë aktivitet nuk ka bërë kontrolle, por medaljen ma njeh federata ndërkombëtare. Një sportis, nëse niset me mendimin se do të ketë apo jo kontrolle, ka vdekur”.

Shpërblimet e tjera që Gegës nuk i njihen janë ato kombëtare: “Pika tjetër është që nuk më njihen rekordet kombëtare, janë 13 rekorde. Ministria nuk i njeh, edhe pse ato njihen nga federata kombëtare dhe ndërkombëtare. Ministria njeh vetëm rekordet që thyen në Shqipëri, por unë mund të thyej rekord kombëtar qoftë në një kampionat ballkanik, qoftë në Europian.

Mjafton të jetë koha më e shpejtë që një sportist shqiptar ka realizuar në një disiplinë të caktuar. Për rekordin europian m’u tha se do të shpërblehej me 6 milionë lekë të vejtra, pastaj më thanë se nuk e përmbante VKM-ja. Në fakt, nuk e përmbante. Por kryministri i tha ministres se duhej zgjidhej ky problem, pasi VKM-ja kishte gabime. Por nuk ishte e mjaftueshme.

Dua të jem e ndershme, unë pjesën më të madhe të shpërblimeve e kam marrë, por qoftë edhe sikur një të jetë që më takon, e dua. Është djersa ime dhe falë këtyre shëprblimeve arrij që të bëj trajnimet që më duhen për të qenë një sportiste e këtij niveli që jam”.

Të gjitha këto sqarime Luiza Gega i ka dhënë në një lidhje direkt nga Kenia për një televizion shqiptar. Ajo po stërvitet në Afrikë, sepse jemi në vitin e Lojërave Olimpike që zhvillohen në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë