Kombetarja

Tre lojtarë më pak në Kombëtare, Memushaj, Binaku dhe surpriza e Rejas

Listës zyrtare të Kombëtares për dy ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë do t’i hiqen tre emra. Ledia Memushaj, Egzon Binaku dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Edi Reja për këto dy ndeshje. Sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së për këto tre mungesa, nuk do të ketë zëvendësues të tyre në Kombëtare dhe ky nuk është një lajm i mirë për Trashin me shokë. Memushaj ka pasur probleme fizike këto ditë në stërvitje, Binaku nuk u paraqit në Durrës për shkak dëmtimit që ka pësuar me klubin e tij në Suedi, kurse i riu Kumbulla, i cili ishte edhe surpriza e listës së Rejës, është ende i angazhuar me Veronën dhe do të Bashkohet me Kombëtaren U-21 për ndeshjen me Turqinë.

Trajneri italian do t’i përballojë ndeshjet e radhës pa tre lojtarët e përmendur më sipër, ku më shumë punë prish mungesa e Memushajt, i cili mund të luante nga minuta e parë, apo mund të futej nga stoli për të ndryshuar diçka në lojë. Vlonjati është një mesfushor me shumë përvojë dhe në ndeshje kaq të rëndësishme si kjo me Islandën do të ishte e nevojshme prania e tij. Megjithatë, stafi i kuqezinjve nuk ka dashur të rrezikojë me lojtarin.

“Ndryshime në listën e Kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës dhe Moldavisë. Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij Norrkoping dhe e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Po ashtu, mesfushori Memushaj ka shfaqur probleme fizike, duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet. Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili, për shkak të angazhimit me klubin e tij, Veronën, do të bashkohet me U-21 më 3 qershor për transfertën e Turqisë”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë