Politike

Tre ditë negociata në vend numëro, nuk ka vullnet për reformën zgjedhore

Një status në Facebook i Petrit Vasilit, pak para mbledhjes së Këshillit Politik, paralajmëroi shumëçka mbi ecurinë e diskutimeve plot katër orë ditën e shtunë në Pallatin e Kongreseve. Ashtu siç njoftoi edhe më herët, palët, pas një diskutimi të gjatë, dolën sërish me qëndrime në vend-numëro lidhur me teknologjinë.

Qëndrimet e tyre nuk ndryshonin nga ajo e tre ditëve të fundit, edhe pse mbledhjet maratonë mes tyre nuk kanë munguar

Palët ngecin tek teknologjia, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor. Për teknologjinë u fol sërish të shtunën. Opozita shtoi akuzat se mazhoranca nuk kërkon të pranojë votimin biometrik sepse kërkon të mbush kutitë, ndërsa Damian Gjiknuri tha në anën tjetër se propozimin e PD-së ODIHR e ka pranuar të shtrihet vetëm në 10% të territorit. Ai u shpreh i gatshëm ta pranojë si kërkesë vetëm në rast se ODIHR do të vijë me një përgjigje tjetër për këtë çështje, duke pranuar se përdorimi i teknologjisë duhet të shoqërohet edhe me një variant alternativ në rast se nuk do të funksionojë.

Opozita

Petrit Vasili tha pas mbledhjes se, PS-ja ka strategji të minojë reformën. “Me një votim normal s’mund t’i fitojë këto zgjedhje edhe është kapur si i mbyturi pas një fije bari  që të marrë e vjedhë votat në tavolinë. Të mbushë kutitë në tavolinë ashtu siç bëri në 30 qershor që ju deshën më shumë se 4 javë për kutitë që t’i mbushte… Sot PS ka vetëm një strategji. Ta minojë reformën, të rrëmbejë votat në komisione të paligjshme dhe të shkojë drejt miratimit të njëanshëm të Reformës Zgjedhore dhe të bëjë sikur harron që tre çështje të mëdha në 15 kushtet janë Reforma Zgjedhore zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral”, tha Vasili.

Oerd Bylykbashi u kujdes të theksonte se asnjë prej propozimeve të opozitës nuk ishte marrë parasysh nga mazhoranca.

“Të gjitha propozimet tona janë refuzuar. Pavarësisht fleksibilitetit të opozitës, ne jemi përballur me refuzim të çështjeve që garantojnë proçesin zgjedhor. Deri më sot opozita çdo kërkesë që ka bërë i është refuzuar nga PS…”, tha ai.

PS

Tjetër panoramë paraqet PS. “Pika e madhe që na ndan është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore bazuar në kriteret apolitike.

Sa i përket teknologjisë vullneti i PS ka qenë i qartë, u angazhuam të aplikojmë identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe votimin elektronik por përtej dëshirës, iu drejtuam ekspertëve të ODIHR që na thanë se sistemi elektronik duhet të implementohet gradualisht duke filluar me projekt pilot jo më tepër se 10%. Ne po themi ta shtrijmë edhe përtej 10%-it e zonat t’i zgjedhë opozita. I thashë hajde t’i drejtohemi ODIHR po na ktheu përgjigje pozitive e heq dorë nga opinioni i parë, ne po e marrim atë risk…”, tha Damian Gjiknuri. Edhe njëherë, Gjiknuri përsëriti se opozita nuk mund të vijë me listë dëshirash.

Për t’i shtuar garanci zgjedhjeve, Gjiknuri tha se është pranuar kërkesa për kamera në çdo qendër votimi si dhe kërkesa për të hapur çdo kuti votimi pas numërimit në rast se ka pretendime nga ndonjë subjekt politik.

“Kush është ai i çmendur që do mbushë kutitë kur e di që do kontrollohet?”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë