Futboll

Transparenca e Premier Ligës, dialogu arbitër-VAR do bëhet publik

Gazeta Si - Pas MLS-së (kampionatit amerikan), edhe Premier Liga është gati për të bërë publik regjistrimin e dialogut që bëhet gjatë ndeshjes mes arbitrave dhe VAR-it. Gjithçka bëhet për të pasur transparencë të plotë me publikun dhe klubet.

Sipas ‘Times’, publikimi e këtij dialogu do të bëhet pas ndeshjeve të kampionatit, ngaqë ligjet nuk lejojnë transmetimin direkt. Publikimi i audiove në Youtube pas ndeshjes është një praktikë që ndiqet tashmë në ‘Major League Soccer’.

Hauard Ueb, shefi i arbitrave në Angli. Gazeta Si, 2 gusht 2022

Aty shef i sektorit të arbitrave është anglezi Hauard Ueb, i cili do të kthehet në vendin e tij si shefi i ri i arbitrave.

Teknologjia e videove (VAR) ka sjellë kritika të forta që kur është futur në Premier Ligë në vitin 2019. Problemi kryesor ka qenë ai i sinjalizimit për pozicion jashtë loje pas golave të shënuar.

Për t’i bërë edhe më të besueshëm proceset që sjellin vendimet arbitrale, kjo iniciativë ka si qëllim të përmirësojë transparencën karshi klubeve dhe tifozëve.

Administratori i deleguar i Premier Ligës, Riçard Masters, ka pohuar se ideja ka pasur mbështetje të gjerë: "Ka një vizion të përgjithshëm se të publikohen audiot është diçka e mirë. Ka vullnet për të qenë më të hapur me fansat sa i takon procesit të vendimarrjes së arbitrave. Ne duhet të punojmë për ta realizuar këtë gjë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë