Futboll

Trajneri i ri i Juventusit, lista e emrave që po studion Paratiçi

Trajneri i ri i Juventusit është tema më e nxehtë e merkatos në Itali, por edhe më gjerë në gjithë futbollin europian. Largimi i Alegrit me konsensus ka hapur një ankand të vërtetë për menaxherin e ri që do të marrë drejtimin e “Zonjës”. Në mediet italiane po përfliten disa emra trajnerësh që mund të marrin drejtimin e Juves dhe Paratriçi e ka bërë gati listën.

Nëse do të shkohej me variantin e trajnerit italian dhe jo shumë të kushtueshëm, emri i parë i preferuar për të marrë drejtimin e Juventus do të ishte Mauricio Sarri. Trajneri aktual i Çelsit me shumë mundësi do të largohet nga Londra gjatë verës së ardhshme edhe nëse ia del që të fitojë Ligën e Europës. Për të ka disa ekipe të interesuara, por nëse Juventus do e dëshironte dhe do të futej në garë, nuk besohet që të ketë shumë probleme për ta bindur.  Avantazhi i tij i madh është njohja dhe përshtatja shumë e thjeshtë me kampionatin italian. Por ndoshta mungesa e eksperiencës në nivelet e larta europiane dhe trofetë e paktë që ka fituar mund të përbëjnë një disavantazh për ish-trajnerin e Napolit.

Emri që entuziazmon më shumë tifozët e Juventus është Mauricio Poketino. Argjentinasi ka ngritur nga hiçi një Totenham, që këtë vit është në “top tre” në Premier Ligë dhe në finalen e Ligës së Kampionëve, duke bërë shpenzime minimale. Kjo është pikërisht ajo që i duhet Juventusit një skuadër e fortë, por pa bërë ekzagjerime në shpenzime. Poketino do të ishte ideali për të zbritur në Torino, por mbetet për t’u parë se do e bind Juventus argjentinasin të lërë Londrën. Pastaj nëse do të flitej për trajnerin e ëndrrave të juventinëve, ai quhet Pep Guardiola. Spanjolli kampion i katërfishtë këtë sezon në Angli me Mançester Sitin, dështoi fatkeqësisht në Ligën e Kampionëve.

Trofeu europian është i vetmi që mungon në rrugën angleze të Guardiolës, që duket se nuk ka shumë fat me ekipet e tjera në këtë kompeticion, sepse deri më tani e ka fituar vetëm me Barcelonën. Juventus e dëshiron Guardiolën, për të ngjitur një tjetër shkallë cilësisht, si në fushën e lojës, por edhe në anën e marketingut. Operacioni për të çuar spanjollin në Torino është shumë i vështirë dhe shumë i kushtueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë