Kombetarja

Trajneri i Çekisë u druhet kuqezinjve: Luajnë në Serinë A, dalin shpejt në sulm

Gazeta Si – Në kampin çek deri tani kanë folur për një fitore gati të sigurt ndaj Shqipërisë nesër në Pragë. Por ndryshe mendojnë kapiteni Souçek dhe trajneri Jarosllav Shilhavi, të cilët e vlerësojnë skuadrën tonë si një kundërshtar aspak të lehtë për të kaluar.

Trajneri Shilhavi ka evidentuar faktin se lojtarët e Shqipërisë luajnë në Serinë A dhe se me Silvinjon në stol skuadra jonë është përmirësuar shumë. Numri 1 i stolit çek u druhet daljeve të shpejta të kuqezinjve:

Jarosllav Shilhavi, trajneri i Cekise. Gazeta Si, 6 shtator 2023

“Nuk e nënvlerësojmë Shqipërinë. Është ekip shumë i vështirë, me individualitete, me lojtarë që luajnë në kampionate të njohura. Shumë prej tyre luajnë në Serinë A dhe kjo do të thotë se nuk janë lojtarë jo të dobët.

Trajneri i tyre ka ardhur në fillimin e vitit dhe janë përmirësuar, janë më të organizuar. Shqipëria del shpejt përpara, është e rrezikshme, ndaj dhe duhet të jemi të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes, sepse një gabim mund ta vendosë atë.

Nëse fitojmë, ecim përpara, por asgjë nuk do të ishte e mbyllur. Lojtarët tanë janë në formë, i kemi të qarta idetë tona. Formacioni? Nuk e them këtu, por është i ngjashëm me atë të ndeshjeve të fundit”, - u shpreh trajneri Shilhavi në konferencën për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë