Futboll

Trajneri Hasan Lika lë Vllazninë për Amerikën

Hasan Lika nuk është më trajner i Vllaznisë. Marrëveshja mes trajnerit kryeqytetas dhe klubit shkodran është ndërprerë me konsensus, për arsye familjare të Likës. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Vllaznisë, ku sqarohet me detaje situata. Trajneri Hasan Lika ka vendosur të shkojë të jetojë në Amerikë, ku do të transferohet pas pak ditësh, ndaj dhe ka kërkuar nga drejtuesit e Vllaznisë që ta mbyllin bashkëpunimin. Këta të fundit e kanë pranuar kërkesën e trajnerit Lika.

Vllaznia udhëheq Grupi A në Kategorinë e Parë, ku luan këtë sezon. Skuadra shkodrane po ecën e sigurt drejt Superiores dhe për këtë trajneri Hasan Lika ka meritat e veta. Ai e mori drejtimin e Vllaznisë në verë dhe tani i duhet t’ia lërë vendin një tjetër trajneri. Hasan Lika ka drejtuar më parë skuadra të njohura në vend si Teuta, Partizani, Apolonia, Luftëtari dhe Kombëtarja U-21.

Hasan Lika me ekipin e Vllaznisë

“KF Vllaznia bën të ditur se nga dita e sotme Hasan Lika nuk do të jetë më trajner i ekipit të parë. Me kërkesën e vetë trajnerit, kontrata dypalëshe është ndërprerë për arsye se z.Lika, bashkë me familjen e tij, pas pak ditësh do të udhëtojnë drejt Amerikës për të jetuar atje. KF Vllaznia e falënderon z.Lika për kontributin e tij në krye të skuadrës gjatë kësaj periudhe, duke marrë parasysh momentin e vështirë kur e mori drejtimin e saj. Falë punës së tij dhe futbollistëve, ekipi është shumë pranë arritjes së objektivit, daljes në Superligë. Për një periudhë shumë të shkurtër, KF Vllaznia do të bëjë publik edhe emrin e trajnerit të ri”, - shkruan klubi shkodran në njoftimin zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë