Kombetarja

Bushi nuk trembet: Të marrim maksimumin me Spanjën dhe Estoninë

Kombëtarja “shpresa” do të zbresë të enjten në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë për t’u përballur në ndeshjen zyrtare me Spanjën. Kjo do të jetë sfida e parafundit zyrtare eliminatore e skuadrës kombëtare U-21 në grupe. Gjatë këtyre ditëve skuadra ka zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, teksa përballë do të ketë një kundërshtar shumë të vështirë, dhe që është kryesues i grupit, si Spanja.

Përpara gazetarëve në konferencën e zakonshme në prag të ndeshjes, trajneri i skuadrës, Alban Bushi, tha se dihen potencialet e Spanjës si kombëtare, por ekipi i tij ka punuar shumë mirë këto ditë. “I vlerësojmë maksimalisht këto dy sfida. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve. Spanjën e njohim, dhe dihet për potencialet e saj në sulm. Për ndeshjen e nesërme kemi vendosur në momentet e volitshme të sulmojmë, por duke pasur shumë kujdes prapa, pasi dihen edhe resurset e skuadrës spanjolle, e cila menjëherë merr ofensivën. Jemi munduar të bëjmë modifikimet e duhura në aspektin difensiv. Problemi i mbrojtjes është një çështje që vijon të mbetet shqetësuese. Dhe nuk është vetëm problem për ekipin kombëtar U-21, por edhe për ekipin e parë. Sidoqoftë kemi marrë masat e duhura respektive në mënyrë që të përballojmë sa më mirë një kundërshtar të fortë si Spanja.”- tha Alban Bushi.

Më tej në fjalën e tij tekniku Bushi, ka thënë se përtej vështirësive që dy ndeshjet paraqesin ai është i bindur në triumfin që mund të arrijë ekipi kuqezi. “Jemi të prirur që këto dy ndeshje të fundit eliminatore, të bëjmë më të mirën tonë, dhe të marrim maksimumin e mundshëm. Gjithmonë duke treguar kujdes dhe duke pasur përqendrimin e duhur deri në fund të takimit.”- u shpreh trajneri i kombëtares U-21

Sakaq, nga ana e tij edhe kapiteni Kejdi Bare e vlerësoi këtë ndeshje, duke besuar për një paraqitje shumë të mirë të skuadrës në “Selman Stërmasi” me iberikët. “Njohim forcën e kundërshtarit, por edhe ne do të bëjmë më të mirën tonë në këtë takim. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve me trajnerin dhe skuadrën. Besojmë në një prezantim shumë të mirë të ekipit, jo vetëm në ndeshjen me Spanjën, por edhe në atë me Estoninë. Por fillimisht, shohim Spanjën, dhe jemi aty të fokusuar”,- theksoi kapiteni i përfaqësueses U-21 Kejdi Bare.

Takimi zyrtar eliminator Shqipëri-Spanjë zhvillohet ditën e enjte, ora 19.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë