Polombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet në grykën e Skuranës, për gjetjen e trupit të 20-vjeçarit Xhorxho Seferi, që dyshohet se është mbytur në lumin Erzen, në vendin e quajtur Shpella e Pëllumbasit.
Prej orës 08.00 të mëngjesit të së dielës, polumbarët kanë vijuar kërkimet në gjatësinë e lumit deri në në grykën e Skuranës, në një terren shumë të vështirë.
Policia e Shtetit njofton se është devijuar një pjesë e lumit me qëllim uljen e nivelit, pasi rrjedha është shumë e fuqishme dhe terreni është shumë shkëmbor dhe shumë i thepisur.
“Krahas kërkimeve nga polumbarët e Renea-s, një grup punonjësish policie të Stacionit të Policisë Farkë kanë vijuar krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.
Gjatë kërkimeve nga Polumbarët e Renea-s, ka qenë i pranishëm edhe vëllai i shtetasit që dyshohet i mbytur.
Deri në këto momente nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 20 vjeçarit, ndërkohë që kërkimet vijojnë”- njofton Policia e Shtetit.
I riu Fabio Dukagjini, që u shpëtua mesditën e të shtunës është shprehur se shoku i tij kishte hyrë në ujë, e kishte parë që e kishte marrë rrjedha e lumit, por ai nuk kishte mundur që ta shpëtonte.
Xhorxho Seferi rezulton i zhdukur prej mesditës së të shtunës në ujërat e lumit Erzen në vendin e quajtur Shpella e Pëllumbasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.