Ngjarje

Tragjedia nga tërmeti, prokuroria nis hetimet në Durrës e Tiranës

Prokuroria e Durrësit do të hetojë mbi ndërtimet në qytetin bregdetar. Sipas njoftimit pas tërmetit të 26 nëntorit tejet të fortë që u shoqërua me vdekjen e 51 personave, prokuroria bën të ditur se më 29 nëntor ka ka regjistruar çështjen penale. “Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre", parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 Kodit Penale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në nenin 199/a i Kodit Penal përcakton se ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit. “Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”, thuhet në këtë dispozitë.
Neni tjetër i përfshirë si pjesë e hetimeve parashikon hetimin e zyrtarëve që kanë shpërdoruar detyrën. “ Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, theksohet në këtë dispozitë.
Prokurorët e Durrësit po hetojnë dhe po presin dhe referime të policisë dhe do vendosin sipas hetimeve të mëtejshme. Për shkelje të detyrës mund të përfshihen zyrtarët e bashkisë së Durrësit, si dhe ato të Zyrës së Urbanistikës. Pjesa më e madhe ndërtimeve në zonën e Durrësit, në qytet dhe në pjesën bregdetare janë dhënë gjatë kohës kur kryebashkiak ishte Vangjush Dako.
Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, Drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore bëjnë të ditur se kanë vendosur shembjen e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.

Edhe në Tiranë hetime, por zgjerim të objektit
Hetime për lejet e ndërtimit apo dhe për abuzime me detyrën për lejimin e ndërtimit të pallateve në kundërshtim me ligjin ka nisur edhe Prokuroria e Tiranës. Ajo bën të ditur se ka filluar kryesisht hetimet ne lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit te rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Veprat penale që po hetohen nga kjo prokurori janë ato të “Shpërdorimit të detyrues”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë. Gjithashtu hetimi do të bazohet edhe te vepra penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal. Prokuroria e Tiranës, ndryshe nga ajo e Durrësit, po hetohen edhe për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, referuar neni t199/b të Kodit Penal. Sipas kësaj dispozite parashikohet se “Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të
paligjshëm, dënohet me burgim deri në 3 vjet”.
“Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor. Në vijim te veprimeve te kryera, i kërkohet informacion Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara, jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Edhe Prokuroria e Krujës nis hetimet, Lezha jo

Gjithashtu bëhet e ditur se edhe prokuroria e rrethit Krujë ka nisur hetimet për prishjen e banesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Hetimet janë përqendruar kryesisht në zonën e Thumanës për pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe ku kishte edhe më shumë humbje jetësh të njerëzve. Mësohet se prokuroria e Lezhës nuk ka nisur hetimet, edhe pse ky qark është prekur nga tërmeti. Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar edhe arsyen se pse nuk është hapur një procedim penale. “Në rrethin e Lezhës, rezulton se ka pasur vetëm dëme materiale në 9 (nëntë) pallate dhe 145 apartamente, të cilat aktualisht janë në proces verifikimi nga grupi i punës nëse janë apo jo banesa të banueshme. Të gjitha pallatet e dëmtuara janë të ndërtuara gjatë viteve ‘70. Deri në këto momente nga Policia nuk rezulton se ka patur ndonjë akt konstatimi që ndonjë nga pallatet të jetë shpallur i pabanueshëm pas tërmetit të datës 21.09.2019”, thuhet në njoftim.

Po ashtu nga verifikimet e deritanishme nuk ka pasur shtesa apo ndërhyrje të mëvonshme në pallatet e dëmtuara nga tërmeti. Në prokurorinë e Rrethit Lezhë nuk ka asnjë referim apo njoftim për ndonjë ngjarje apo të ketë pasur kallëzim nga qytetarët për situatën post-tërmetit të datës 26.11.2019, e për rrjedhojë nuk ka procedim penal të regjistruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë