Presidenti Ilir Meta ka mbledhur mëngjesin e sotëm Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Presidencë.
I pranishëm në mbledhje ka qenë i gjithë kabineti qeveritar, përfshi kryeministrin Edi Rama, i cili konfirmoi pjesëmarrjen e tij edhe gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, në orën 07:00 të këtij mëngjesi.
Presidenti Meta nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka dhënë detaje nga mbledhja.
Meta ndër të tjera shkruan se duhet të vendosen para përgjegjësisë të gjithë ata që rezultojnë përgjegjës në këtë tragjedi.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.
Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan presidenti Meta në “Facebook”.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryeprokurorja Arta Marku, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Kreu i shtetit e ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas situatës katastrofike të krijuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, ku u shënuan 51 viktima.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.