Pas ngjarjes tragjike në Potam të Himarës, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare, vijon operacioni në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.
Gjatë 4 ditëve të operacionit, janë dërguar për verifikim të dokumentacionit rreth 200 mjete lundruese dhe argëtuese, nga të cilat 125 Jet ski dhe 75 gomone e skafe të vegjël.
Në operacion janë përfshirë Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu, në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Shkodër.
“Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit”, njofton Policia.
Mjetet lundruese, të shoqëruara nga shërbimet policore që operojnë nga deti dhe toka, do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga të gjitha strukturat përgjegjëse, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët.
Në rastet kur këto mjete janë të rregullta do të lejohen të dalin në det, por me kushte të reja të vendbazimit dhe të respektimit me rigorozitet të distancës nga bovat (perimetri i sigurisë).
Mjetet lundruese që shërbejnë për turizëm anijet e vogla dhe të mëdha janë verifikuar, kanë rezultuar të rregullta dhe kanë vijuar aktivitetin normalisht.
Përgjatë sezonit veror janë kontrolluar nga Policia Kufitare rreth 900 mjete lundruese, nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masë administrative.
Nga fillimi i sezonit turistik e deri tani, nga verifikimet e kryera, 25 mjete lundruese, kryesisht Jet ski dhe gomone të vogla, janë bllokuar sepse nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt.
Gjithashtu, po gjatë sezonit, në të gjithë vijën bregdetare, janë zhvilluar 22 operacione policore për lirimin e hapësirave të zëna padrejtësisht nga pronarë lokalesh apo individë të ndryshëm. Si rezultat i këtyre operacioneve, janë sekuestruar 2455 çadra e shezlongë, si dhe janë proceduar penalisht 26 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.