Drejtësia

13 vjet nga tragjedia e Gërdecit, SPAK rihap hetimet ndaj Fatmir Mediut

Pas 13 vjetësh nga tragjedia e Gërdecit, familja Durda, e cila humbi djalin e mitur në vitin 2008 nga shpërthimi, ka kallëzuar në SPAK Fatmir Mediun, ish-ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe në qeverinë Berisha.

Me këtë padi të re, është rikthyer edhe një herë në skenë dosja “Gërdeci”, me rihapjen e hetimeve ndaj  Mediut, i akuzuar edhe nga opozita e kohës si një nga përgjegjësit e tragjedisë.

LEXO EDHE:
- SPAK rihapi “Gërdecin”, Mediu: Akt politik. Nuk besoj të ketë lidhje me mandatin tim në Kuvend
- Tragjedia e Gërdecit, familjarët: Të hapen hetimet për Fatmir Mediun

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka njoftuar të enjten se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes.

SPAK thotë se nuk ka asnjë arsye që të pushohen hetimet ndaj kreut aktual të Partisë Republikane dhe pas një kallëzimi nga familja Durda, rekomandon nisjen e hetimeve sërish për këtë çështje.

Duke renditur faktet kryesore të ngjarjes, SPAK evidenton se në vitin 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi pushimin e procedimit penal ndaj Fatmir Mediut për shkak se ndjekja penale ndaj tij, nuk mundet që të vazhdojë, pasi me rizgjedhjen si deputet në Kuvend, kishte imunitet parlamentar.

Hetimi ndaj Mediut nuk ka asnjë pengesë

Por kërkesa e SPAK, argumentohet në faktin se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017, imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim vetëm për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Kështu, Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj Fatmir Mediut, nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Kërkesa e ndaj Mediut, është depozituar nga Feruze Durdaj dhe Zamira Durdaj, familjarë të viktimës E.D., i cili humbi jetën në moshën 7-vjeçare nga shpërthimi në depon e demontimit të armëve.

Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Çfarë ndodhi në 15 mars të vitit 2008

Në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve respektive.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë