Pas 11 viteve nga tragjedia e Gërdecit, dy nga familjarët e viktimave kanë bërë një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për rihapjen e procesit gjyqësor.
Mësohet se Feruzan dhe Zamira Kurda, të cilët kanë humbur djalin e tyre 7-vjeçar, kërkojnë nga Gjykata të revokojë vendimin që pushoi çështjen dhe që Prokuroria të nisë hetimin mbi Fatmir Mediun, pasi thonë se ai nuk u hetua kurrë dhe se askush nuk mbajti përgjegjësi për jetët e humbura në këtë tragjedi.
Familjarët shprehen se Gjykata duhet të studiojë kërkesën mbi humbjen e jetës nën një hetim shumë të kujdesshëm, duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat përkatëse.
“Në përfundim, kërkojmë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, që pasi të marrë në analizë, të pranojë kërkesën sipas objektit të saj, duke revokuar vendimin nr. 6, datë 14.09.2009 të Gjykatës së Lartë (e cila ka vepruar në cilësinë e organit procedues) për pushimin e ndjekjes penale dhe duke urdhëruar Prokurorinë pranë Shkallës së Parë, Tiranë që të vijojë me veprimet e mëtejshme të dërgimit të çështjes në gjykatë ndaj shtetasit Fatmir Mediu, sipas procedimit nr. 3/2008”, thuhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Gjykatës.
Dy ditë pas tragjedisë që tronditi kryeqytetin dhe zonat përreth, Fatmir Mediu dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe më pas parlamenti me shumicë votash i hoqi atij imunitetin e deputetit pas kërkesës për hetim nga Prokuroria e Përgjithshme.
Nga shpërthimi që ndodhi në mesditën e 15 marsit të vitit 2008 në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Po ashtu u dëmtuan dhe qindra shtëpi të zonës përreth.
Më 12 mars 2012, Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes së “Gërdecit”, duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish- administratorin shqiptar të “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.