Njerez

Tragjedia e 4-vjeçarit në Itali/ Historia e familjes shqiptare që mbërriti para dy ditësh në Torino

Familja shqiptare Tila, e cila humbi djalin 4-vjeçar një ditë më parë në Itali, kishte dy ditë që kishte mbërritur në zonën e rrugës “Bramafame” të Torinos. Ndërtesa dykatëshe ku ata jetonin u shemb pas shpërthimit të një bombole gazi, ku për fat të keq humbi jetën A.T., 4 vjeç.

Shtypi italian shkruan se i mituri kishte lindur në Shqipëri, në 6 maj 2017. Prindërit e tij, Genci dhe Nertila ishin martuar në vitin 2012 dhe kanë edhe dy djem më të mëdhenj, 15 dhe 11 vjeç.

Më herët, familja kishte jetuar në Francë dhe rezidenca e fundit zyrtare ishte në Carinola (Kazerta), pranë Napolit. Banorët e fermës së vjetër të rinovuar në rrugën “Bramafame 42”, e kishin parë familjen të mbërrinte të hënën në mbrëmje, por vetëm vogëlushi dhe nëna e tij qëndruan në papafingon e vogël.

Një vendim që rezultoi fatal. Të hënën pasdite, djali i vogël shqiptar vraponte i lumtur në oborr, para kopshtit me perime plot kunguj të njomë dhe domate, duke ndjekur qenin e fqinjëve: “Ai dukej i lumtur, – thonë banorët, – me flokët e tij biond dhe sytë të kaltër”.

Shpërthimi që shkatërroi shtëpinë e vjetër të rinovuar të fermës në “Basse di Stura”, dyshohet se është shkaktuar nga një bombolë gazi. Ndërtesa ishte e ndarë në 5 apartamente, plus një zyrë të papërdorur në katin përdhes.

Qiramarrësit ndryshojnë herë pas here, ata janë kryesisht familje të huaja emigrantësh, të joshur nga çmimi i lirë i banesave. Rreth 350 euro në muaj, përfshirë garazhin, por pa shpenzimet e tjera.

Familja Tila ishte vendosur në apartamentin në katin e dytë vetëm 48 orë më parë. Me leje qëndrimi të rregullt, ata vinin nga zona e Kazertës.

Kishin mbërritur në bordin e një makine tip “Ford Fiesta”, e cila ishte e parkuar nën urën në rrugën që të çonte në aeroportin “Caselle”, por duket se ata kishin jetuar edhe më parë në Torino.

Megjithatë, në rrugën “Bramafame”, ata u panë për herë të parë të hënën në mbrëmje, kur familja shikoi apartamentin e vogël në papafingo. Më pak se 30 metra katrorë, për pesë persona dhe kështu ata vendosën të ndaheshin.

Babai Genci, 40 vjeç, me dy fëmijët e tij më të mëdhenj, vendosi të kërkojë një strehim tjetër. Nëna Nertila, 34 vjeçe, qëndroi në apartament me të miturin, i cili mbushi 4 vjeç në muajin maj.

Shembja e banesës nuk i la asnjë rrugëdalje. A., humbi jetën menjëherë, i shtypur nga rrënojat. Nëna u gjet pas një ore kërkimi nga zjarrfikësit. Ajo ishte praktikisht e padëmtuar, por u mbajt në spital nën vëzhgim nga mjekët.

Babai, i cili nuk ishte i pranishëm në kohën e shpërthimit, u sëmur kur mbërriti në vendin e ngjarjes dhe u transportua në gjendje shoku në spitalin “Maria Vittoria”.

Përveç familjes shqiptare, të plagosur mbetën edhe dy të rinj 22-vjeçarë që ndodheshin në kate të ndryshme të ndërtesës. Ata kanë pësuar dëmtime dhe fraktura në trup.

Zjarrfikësit, të cilët po hetojnë ngjarjen së bashku me policinë, me mbështetjen e karabinierëve, gjetën disa bombola gazi në rrënojat e ndërtesës. Sigurisht që ka pasur një rrjedhje gazi, por shkaqet ende nuk janë konstatuar saktësisht.

Pothuajse e gjithë rruga “Bramafame” nuk ka pika të   shpërndarjes së gazit dhe ‘Italgas’ ka konfirmuar se pjesa më e afërt është 150 metra larg vendit të shpërthimit.

“Përjashtohet mundësia, – thotë kompania, – që çdo rrjedhje gazi mund të ketë origjinën nga rrjeti i gazit të qytetit”. Shembja mund të jetë shkaktuar nga një mosfunksionim i bombolës, por hetimet janë ende në vazhdim.

E gjithë ndërtesa u shpall e pabanueshme dhe ndërtesa fqinje gjithashtu u evakuua. Në oborr ka akoma mobilje, flamuj dhe aksesorë për festën e Krishtlindjeve.

Një flamur trengjyrësh varet nga një ballkon dhe vetëm skeleti mbetet nga pamjet. “Një tragjedi absurde, – thonë banorët. – Por vështirë se dikush ka pikë shitjeje gazi këtu afër dhe bombolat, ju e dini, janë të rrezikshme”.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë