Dosje

‘Toyota Yaris’ dhe një grup kriminal, prokurori belg vjen në Tiranë për dosjet e nxehta

Gazeta Si - Një prokuror belg ka mbërritur në Tiranë para së gjithash për zbardhjen e çështjes “Toyota Yaris”, ku u tentua futja e një shume prej 3.4 milionë eurosh  në Shqipëri të dyshuara me origjinë nga trafiku i drogës.

Funksionari i lartë belg, ka kryer një takim në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës, ku edhe ka marrë dokumentacion në lidhje me hetimet e kryera deri më tani për këtë dosje.

Sipas burimeve paraprake, takimi i parë i tij ka qenë me drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Ymeraj. Ndërsa më pas i është drejtuar SPAK-ut, ku ka marrë të dhëna në lidhje me një grup kriminal nga Shqipëria që ushtron aktivitet edhe në Belgjikë. Bëhet fjalë për një çështje pastrimi parash që po hetohet nga të dyja prokuroritë.

LEXO EDHE:
- Shfryhet çështja ‘Toyota Yaris’, poseduesi dënohet me 1 vit burg për milionat e eurove
- Si u fik "Toyota Yaris", nga akuzat e Bashës në Kuvend e deri te padia e Ballës…
- “Toyota Yaris”, çfarë tha Basha
- Konfiskohen 3.4 milionë eurot të fshehura në makinat 'Toyota Yaris'

Në fakt, çështja “Toyota Yaris” është përdorur si një 'kalë beteje' mes opozitës dhe mazhorancës, duke hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit.

Më 22 qershor 2018, Lulzim Basha nga foltorja e Parlamentit akuzoi Taulant Ballën si të lidhur me 3.4 milionë eurosh që ishin të fshehura në një makinë në Portin e Durrësit dhe vinin nga Belgjika, dy ditë para se policia t'i kapte ato më 24 qershor 2018.

Kjo bëri që prokuroria të pyeste Bashën nga i kishte marrë informacionet, i cili duke u rrezikuar për t'u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime para organit të akuzës.

Taulant Balla e paditi Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist. Kryedemokrati u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj  Ballës

Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës.

Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompanie shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Menjëherë në vendngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika.

Policia shpalli në kërkim Elvis Vladin, që dyshohet se ishte një nga personat që do të merrte paratë dhe pas dorëzimit të tij për autoritetet ligjzbatuse, Gjykata e Tiranës e dënoi me 1.6 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, Vladi do të bëjë vetëm 1 vit burg. 

Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me 2 vjet 4 muaj. Edhe pse kjo dosje është mbyllur në Shqipëri, në Belgjikë vijon të jetë e hapur, duke parë se janë ende nën procedim penal shtetasit: Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë