Futboll

Toti president dhe De Rosi trajner, ëndrra e tifozëve të Romës

Ka një ëndërr, që të gjithë tifozët e Romës urojnë të bëhet realitet: Françesko Toti president dhe Daniele De Rosi trajner. Një ëndërr shumë e bukur, sa që kur sheh realitetin, entuziazmi venitet menjëherë. Roma mban vendin e shtatë në tabelën e renditjes dhe e ardhmja e saj duket e mbuluar nga një tym i dendur. Klubi ka nevojë për t’u bërë nga e para, për t’u rithemeluar. Kjo është fjalia që dëgjon më shpesh këtë periudhë në Trigoria, në qendrën stërvitore të Romës. Pas humbjes me Napolin në “Olimpico”, skuadra duket e mbaruar.

Po kush do ta rithemelojë Romën, cilët janë ata persona që mund ta bëjnë këtë proces të domosdoshëm? Pronari Xhejms Palota, i cili qëndron më shumë në Amerikë, bashkë me konsulentin e tij të jashtëm Franko Baldini, nuk duken shumë të predispozuar për ringritjen e skuadrës, ndërsa shpirti italian i skuadrës kërkon sadopak autonomi. Me Totin në krye, një drejtues ende pa tavolinë pune, i cili është gati të udhëheqë frontin revolucionar.

Toti dhe De Rosi

“Nëse marr një rol të rëndësishëm në klub, - ka thënë ish-kapiteni, - do të ndryshoj diçka që nuk ka funksionuar”. Ideja e tij është që bashkë me drejtorin sportiv të klubit, një pozicion që sot mbahet nga Masara, të vënë dorë në fushatën e blerjeve të Romës në verë. Lojtari i Empolit, Benacer, është objektivi kryesor. Një lojtar që “sponsorizohet” edhe nga De Rosi, i cili e sheh franko-algjerianin si pasardhësin e tij. Kapiteni është në metrat e fundit të karrierës, pasi problemet kronike me gjurin dhe kofshën nuk po e lënë rehat. Sezonin e ardhshëm nuk mendohet që ai të jetë në fushë. Tërheqja është një opsion, por nuk është çudi që kampionatet me fanellën e Romës të bëhen 18, para se të nisë të shkruajë një tjetër histori, si drejtues ose trajner i kësaj skuadre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë