Futboll

Totenhemi e Arsenali në garë për Strakoshën, duhen 25 milionë euro

Sirenat angleze për Tomas Strakoshën kanë rënë edhe më parë, kur shqiptarin e Lacios e kërkoi Liverpuli, që më pas mori brazilianin Alison nga Roma. Tani këto sirena janë edhe më të forta për 24-vjeçarin kuqezi. “Gazzetta dello Sport” shkruan se janë dy skuadrat e mëdha të Londrës, Totenhemi dhe Arsenali, që po interesohen seriozisht për Strakoshën, të cilin e josh jo pak atmosfera e futbollit britanik.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, bashkë me drejtuesit e tjerë të këtij klubi, nuk e kanë futur emrin e portierit në listën e shitjeve. Përkundrazi, konsiderohet si një nga kolonat kryesore të ekipit të së ardhmes nga trajneri Inzagi, i cili i ka besuar fanellën e titullarit në Serinë A që kur Tomasi ishte ende pjesë e të rinjve të Lacios. Strakosha ka ende kontratë me klubin nga Roma, por pozicioni i tij mund të rishitet nëse vjen një ofertë prej të paktën 25 milionë eurosh. Do të ishte një tjetër lëvizje e bujshme e Tares, që e ka marrë portierin te Lacio në vitin 2012. Në atë kohë ia sugjeroi babai, Foto, ish-portieri i Shqipërisë, shok skuadre me Taren në Kombëtare.

Tomas Strakosha gjatë një grumbullimi me Kombëtaren

Interesimi për portierin shqiptar duket vërtet serioz nga dy klubet e Londrës dhe këtë e vërteton fakti se Tare ka nisur të mendojë për zëvendësuesin e Tomasit. Kandidati kryesor për momentin shihet Alban Lafont, 20-vjeçari i Fiorentinës, mjaft i vlerësuar nga drejtori sportiv i Lacios. Edhe në këtë rast Tare do të investonte te një portier i ri me perspektivë, që do të rritej në skuadër dhe në të ardhmen mund të shitej edhe ai. Portieri i dytë i Lacios është belgu veteran Proto, ndërsa Xhixhi Bufon, që u përmend ditët e fundit për kalimin te kjo skuadër, është një ëndërr e parealizueshme. Për futbolldashësit shqiptarë do të ishte bukur ta shihnin Strakoshën në kampionatin anglez, një nga më të bukurit në botë, si me fanellën e Totenhemit, ashtu edhe më atë të Arsenalit.

Strakosha është drejt rikuperimit të plotë. Ai pati probleme fizike në fundin e sezonit, që e penguan të grumbullohej me Kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë. Një problem në “Tendinën e Akilit” bëri që portieri të humbiste muajin e fundit të kampionatit, ndërsa në finalen e Kupës së Italisë ndaj Atalantës më 15 maj luajti me një injeksion. Portieri shqiptar do të jetë plotësisht gati në nisje të përgatitjeve për sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë