Futboll

Totenhami likuidon Sitin e Guardiolës, avancon më tej Liverpuli

Ka ardhur edhe surpriza e dytë e madhe në Ligën e Kampionëve. Totenhami ka eliminuar Mançester Sitin edhe pse u mund në këtë ndeshje të dytë me rezultatin 4-3. Më tej ka avancuar edhe Liverpuli që nuk hasi vështirësi edhe në ndeshjen e dytë me Porton, duke triumfuar me rezultatin 1-4.

Ndeshja e zhvilluar në “Etihad Stadium” ishte spektakolare për 90 minuta. Mançester Siti dhe Totenhami dhuruan një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni të Champions, por që në fund ka parë triumfator ekipin londinez. 4 golave të Stërling, Aguerros dhe Silvës iu kundërpërgjigjën Son dhe Lorente që çojnë kështu për herë të parë në 20 vitet e fundit Totenhamin në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Guradiola nga ana tjetër dështon edhe një herë tjetër që të triumfojë në Ligën e Kampionëve edhe pse shpenzimet kanë qenë të mëdha nga pronarët e klubit nga Mançesteri.

Në përballjen tjetër të luajtur në “Odragao” nuk kishte shumë histori. Liverpuli, ashtu siç pritej ka prerë biletën e tij për në gjysmëfinalen e Champions, duke fituar edhe në ndeshjen e dytë me Porton. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë, këtë herë ekipi i Klop e mundi Porton në shifrat 1-4. Liverpuli shkon kështu për herë të dytë radhazi në gjysmëfinalen e Championsit dhe hedh sërish kandidaturën për të triumfuar.

Me kalimin e Totenhamit dhe Liverpulit kompletohen edhe çiftet gjysmë finalistë të Championsit. Liverpuli do të përballet me Barcelonën, ndërsa Totenhami do të ndeshet me Ajaksin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë