Futboll

Tomori kërcënon FSHF-në me gjyq në CAS

Nga një dënim i zakonshëm që ndodh me klubet shqiptare, çështja Tomori pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha për FSHF-në dhe futbollin shqiptar. Klubi beratas që militon në grupin B të Kategorisë së Parë mori një dënim shembullor nga Disiplina e Federatës për të cilin nuk ka rënë dakord dhe që pretendon të shkojë deri në Gjykatën Ndërkombëtare Sportive, CAS, në Lozanë të Zvicrës.

Incidentet në stadium që sollën dënimin

Gjithë historia filloi nga ndeshja Tomori-Apolonia e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së Parë. Vendasit fituan përballë fierakëve në shifrat 3-2, me përmbysje në pjesën e dytë. Ndeshja përveç garës brenda fushës regjistroi edhe një sërë incidentesh në shkallët e stadiumit. Hedhja e sendeve plastike, sharje dhe ofendime ndaj zyrtarëve të Federatës, ishin këto shkeljet që u bënë nga tifozët e Tomorit gjatë kësaj ndeshje. Por për Federatën Shqiptare të Futbollit këto akte gjatë ndeshjes Tomori-Apolonia ishin të dënueshme rëndë dhe vendimi i Komisionit të Disiplinës që një nga më drastikët, duke i dhënë fitoren në tavolinë 3-0 fierakëve gjithashtu, duke e pezulluar fushën beratase për 8 ndeshjet në vijim të kampionatit.

Reagimi i Tomorit dhe kërcënimi me KAS-in

Pas këtij dënimi shumë të ashpër edhe reagimi i klubit të Tomorit nuk ishte më i butë. Fillimisht ishte zyrtari Alban Pambuku që e cilësonte Federatën një institucion me dy standarde dhe që vendoste fatet e kampionatit me vendime të njëanshme. Nuk munguan akuzat për korrupsion në radhët e komisionit të Disiplinës. Por dy paralajmërimet më të forta të Tomorit do të ishin për braktisje të garës dhe çuarjen e çështjes në CAS. Fillimisht përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi i Tomorit paralajmëroi se nuk do të dilte në fushën e lojës përballë Bylisit të Ballshit. Dhe realisht ashtu ndodhi, kur në fushën e stadiumit “Adush Muça” në Ballsh ekipi beratas nuk doli në fushë e blertë. Fill pas kësaj sërish përmes facebook, Tomori paralajmëron se çështja e dënimit të tij do të shkojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit ndërkombëtar, CAS. Bashkë me këtë iniciativë, Tomori ka paralajmëruar se do të rikthehet në fushën e lojës fundjavën e ardhshme.

"Klubi i Tomorit ka marrë vendim që çështjen në lidhje me vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe atë të Apelit ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit të Lozanës. Kemi hyrë në bisedime me një kompani avokatie shumë të njohur dhe premtojmë që do të dalim të fituar në shumë aspekte të tjera. Në fundjavë rikthehemi në fushë…", - shkruhet në njoftim.

Kështu pas disa rasteve të mëparshme është klubi i Tomorit që pritet të provojë efektet e drejtësisë Europiane të Futbollit. Mbetet për t’u parë nëse beratasit do ia dalin të mposhtin FSHF-në, që cila ka fituar një herë më parë kundër Serbisë në këtë gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë