Milani dhe një finale e Kupës së Italisë në shënjestër. Janë objektivat e Lacios dhe Tomas Strakoshës, portierit që nuk futet asnjëherë në “bokse”. Portieri shqiptar i Lacios nuk ka humbur asnjë minutë në 24 javë kampionat, por edhe në Kupën e Italisë. Ai ia ka lënë radhën kolegut Silvio Proto vetëm në ndeshjet e fazës së grupeve në Europa League. Edhe pse 35-vjeçari belg ka përvojë edhe në Champions League, i duhet të presë për të debutuar në Serinë A. Strakosha luajti në Europa League në dy ndeshjet me Seviljen, ku Lacio u skualifikua.
Tani Lacio dhe Strakosha janë të përqendruar tek impenjimi i radhës, te gjysmëfinalja e parë e Kupës së Italisë kundër Milanit, e programuar për të martën në stadiumin “Olimpiko”. Pas tri humbjesh radhazi në kampionat dhe Europa League, 23-vjeçari shqiptar beson te kthesa. Milani i kujton Strakoshës debutimin me Lacion, më 20 shtator 2016, kur në pak orë u gjend nga portier i tretë në mes të shtyllave në “San Siro”. Marketi u dëmtua, Vargiç nuk ishte ende gati dhe trajneri Inzagi, i cili e njihte që te të rinjtë e Lacios, i besoi shqiptarit. Ishte momenti që i hapi rrugën karrierës së tij, pasi më pas bëri hapin e madh dhe tani po luan titullar. Këtë hap e hodhi në një tjetër gjysmëfinale të Kupës së Italisë dy vite më parë ndaj Romës, ku Strakosha ishte protagonist për kalimin në finale.

Një rrugë që shpreson ta bëjë edhe këtë sezon, kur në gjysmëfinale do të ndeshet me Milanin, ku do të kërkojë të fshijë edhe kujtimin e hidhur të një viti më parë ndaj kuqezinjve. Në 28 shkurt të vitit të kaluar, Lacio u mund me penallti nga Milani dhe humbi finalen e Kupës së Italisë. Atë mbrëmje në “Olimpico” nuk shërbyen pritjet e Strakoshës në penalltitë e Rodriguezit dhe Montolivos, ndërsa pritjet e penalltive të Martinez dhe Naingolan ishin thelbësore në “San Siro” për ta çuar Lacion në gjysmëfinale këtë sezon. Kupa e Italisë është e shkruar në fatin bardhekaltër të portierit shqiptar. Ishte 18 vjeç më 23 maj 2013, kur ishte në stolin e Lacios, që mundi në finale Romën. E ka fituar një Kupë Italie edhe me të rinjtë e Lacios. Në trofetë e tij personal është edhe Superkupa e Italisë e vitit 2017, e fituar ndaj Juventusit. Lacio synon të bëjë kthesën menjëherë dhe beson te duart e Strakoshës, të paprekshmit të ekipit, që e di mirë rrugën si shkohet në finalen e Kupës së Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje