Drejtësia

Tjetërsoi tokën te privati/ SPAK mbyll hetimet, i komunikon akuzën ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Gazeta Si - SPAK ka mbyllur hetimet dhe i ka komunikuar akuzën “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë, lidhur me tjetërsimin e pronave në favor të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.

Goro u arrestua më 23 mars të këtij viti, pasi akuzohet se në dy episode të ndryshme, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Himarë, ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara.

Gjë e cila më pas ka bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqeje toke bujqësore (në pronësi të shtetit) në favor të subjektit privat.

Gjithë procesi është kryer në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës.

Ai ndodhet në qeli prej më shumë se 6 muajsh, pasi GJKKO me kërkesë të SPAK caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.

Hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, përcollën pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara, duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, i ati i Stavri Mëhillit.

Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues Artan Gaçin. Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mije m2.

Lidhur me këtë çështje kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj u la në masën “detyrim paraqitje”, ndërsa ish-juristi Vezir Gjikoka, si dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës në Bashkinë Himarë, në “arrest në shtëpie”.

Nga ana tjetër, Stavri Mëhilli pronari i tokës, që dyshohet se ka kryer 2 vepra penale, është lënë në “arrest me burg”, në mungesë, për shkak se nuk është gjetur për t’u arrestuar.

Pak muaj pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme kërkoi një tjetër masë sigurie “arrest në burg” për Jorgo Goron, si dhe sekuestroi 4.900m2 tokë që është përfituar nga ish-kryebashkiaku i komanduar i Himarës, Arqile Bollano.

Goro dyshohet për “shpërdorim detyre dhe korrupsion”, teksa hetimi ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Vlorës, por u transferua një muaj më parë në SPAK.

Toka ndodhet në zonën e Livadhit në Himarë, e cila sipas prokurorisë është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Arqile Bollano, kryetar i komanduar nga PS në Bashkinë Himarë.

Vetë Bollano ka qenë pjesë e grupit të punës, të cilët ndërtuan listën emërore të personave që fituan tokë në mënyrë të padrejtë në Himarë një pjesë të të cilës dyshohet se duke shfrytëzuar njohjen me Goron, ia jep vetes së tij.

Por ndryshe nga masa që kërkohet për Goron, aktualisht për Bollanon s’ka kërkesë për masë, veç asaj për sekuestrimin e tokës.

Kallëzimi lidhur me këtë çështje është bërë fillimisht në komisariatin e Himarës, nga një banor i zonës i cili posedonte tokën e rregullt dhe e kishte fituar atë në bazë të ligjit 7.501.

Në vitin 2015 kur u kryen procedurat, Bollano kishte funksion të rëndësishëm tek zyra e pronave në Bashkinë e Himarës, madje drejtonte grupin e punës për ndarjen e pronave. 

Përfitimi i dy pronave është bërë me firmë të Jorgo Goros, me argumentin se familje si ajo Bollanos, nuk janë trajtuar me tokë gjatë vitit 1991-1992.

Dhe për shkak se këto familje dispononin dhe kishin në përdorim faktik disa ngastra me sipërfaqe toke në zonën e Himarës, ato toka duhet t’i njiheshin nga bashkia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë