Drejtësia

Pas arrestimit të Jorgo Goros, SPAK sekuestron pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës

Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, ka sekuestruar pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçkës.

SPAK njofton se është vendosur masa e sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 5080 m2 në Himarë.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.

Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.

E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.

Prokuroria e Posaçme thekson se tokën prej 5080 m2, Goro në bashkëpunim me 4 persona të tjerë ia ka mbivendosur një pasurie tjetër e cila rezilton në pronësi të shtetit.

Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi pas regjistrimit në regjistrat publikë është tjetërsuar në favor të një subjekti privat. Pra bëhet fjalë për një sërë procesesh në shkelje flagrante të ligjit.

Goro u arrestua më 23 mars, me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, në dy episode, ku përfitues fundor i truallit, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS. Pasi ka përfituar tokën, është pajisur me leje për ndertimin e një kompleksi turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë