Kosova

Tjetër sulm kibernetik në Kosovë, ndërpritet furnizimi me internet

Telekomi i Kosovës ka rënë pre i një sulmi kibernetik. Prej orës 8:00 të mëngjesit të kësaj të marte drejtori teknik i këtij institucioni, Halil Krasniqi konfirmon që kanë ndërprerë shërbimet e internetit me qëllim parandalimin e sulmit. Ai shton se qëllimi kryesor ishte krijimi i një ngarkese në rrjet duke thënë që edhe janë identifikuar IP-të prej nga ka ardhur, por refuzon të japë detaje të tjera. “Për shkak të pamundësisë për të ndaluar sulmin, Telekomi ka ndërprerë shërbimet”, ka konfirmuar Krasniqi.

Ndërkaq Qeveria e Kosovës njoftoi sot, se gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulme kibernetik të llojit DDoS që kanë shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime.

Platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, e Policisë së Kosovës dhe shumë media, kanë qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë javës që shkoi.

Përmes një postimi në Facebook të Qeverisë, thuhet se gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që ndikimi i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.

“Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre sulmeve kibernetike në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kosova dhe vendet e rajonit së fundmi janë përballur me shtim të sulmeve kibernetike. Si pasojë e kësaj, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, që dyshohet të jetë prapa sulmit ndaj sistemit TIMS. Por kryeministri Edi Rama të dielën ka thënë se sulmuesit nuk ia kanë arritur qëllimit dhe sistemet e pikave kufitare janë në punë. /top-channel, koha, zëri


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë