Futboll

Tjetër rekord, Bufon legjendë edhe në Champions

Kur themi Xhanluixhi Bufon kemi parasysh një nga portierët më të mirë të të gjitha kohërave. Një jetë e tërë me Juventus dhe tituj të pafund, pa harruar ata me Parmën, apo edhe titujt me kombëtaren e Italisë, e kanë bërë gardianin që të hyjë në mesin e më të mirëve. Në moshën 40-vjeçare Bufon u largua nga Juventusi për të provuar një aventurë të re në Paris te PSG.

Të gjithë mund të kenë menduar se ka shkuar për të mbyllur karrierën, por forma e treguar mbrëmjen e së martës ka provuar të kundërtën. Bufon ishte një mur i pakalueshëm për të gjitha sulmet që bëri Mançester Junajtid në ndeshjen e parë për fazën e 1/8-ve. Por përveç fitores dhe shanseve të mëdha që PSG ka për të avancuar në raundin tjetër, Bufon ka koleksionuar një tjetër arritje personale.

Bufon është bërë portieri i tretë në historinë e Ligës së Kampionëve që e mban portën e tij të paprekur në 50 ndeshje. Më herët këtë sukses e kishin arritur portierët, Edvin Van Der Sar dhe Iker Kasijas. Bufon do të ketë mundësinë që ta thellojë edhe më tej këtë rekord të tij nëse PSG do të avancojë këtë sezon në Champions, ose nëse do të rinovojë edhe për sezonin e ardhshëm me ekipin nga kryeqyteti francez.

https://twitter.com/Coral/status/1095443192651108355

Por në fakt ky nuk është i vetmi rekord që mbrëmjen e djeshme është thyer nga Xhixhi Bufon. Veterani 41-vjeçar është bërë njëherazi futbollisti i katërt më i vjetër që ka luajtur një ndeshje në Ligën e Kampionëve. Tashmë italiani është në ndjekje të Marko Balota, Mark Zhvarcer and Aleksandër Shovkovski, që është rekordmen, pasi ka luajtur në Champions në moshën 41 vjeç dhe 180 ditë. Në fakt Bufon nuk është larg thyerjes edhe këtij rekordi, për t’u bërë më i vjetri në histori që të ketë luajtur në një ndeshje të Champions, pasi nëse ai do të rinovonte edhe për sezonin e ardhshëm, automatikisht do të renditej në vendin e parë të kësaj rangliste.

https://twitter.com/OptaPaolo/status/1095400220345729024

Me gjithë këto rekorde dhe trofe mbi supe i vetmi peng në karrierën e Bufon vijon të mbetet fitimi i Ligës së Kampionëve. Në 20 vite karrierë në nivelet e larta, ky është trofeu i vetëm që mungon në palmaresin e Bufon, por që ai do të përpiqet ta marrë me PSG, që këtë sezon duket më e fortë se kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë