Kombetarja

Tjetër refuzim, Panuçi thërret Kajën në vend të Balliut

Vijojnë problemet në listën e lojtarëve të grumbulluar në kombëtare për dy ndeshjet e nëntorit. Që nga dita kur lista u bë publike deri më sot, janë bërë tre ndryshime, me të tretin që është zyrtarizuar pasditen e së hënës. Pas refuzimit të Metz për të lënë të lirë mbrojtësin anësor, Ivan Balliu, trajneri Panuçi ka thirrur në kombëtare për këto dy ndeshje, mesfushorin Egli Kaja. Ky i fundit ka qenë pjesë e ekipit kuqezi në grumbullimin e fundit edhe pse nuk pati mundësinë që të luante.

Në fakt Panuçi e paralajmëroi mungesën e Balliut në këtë grumbullim, duke thënë se ekipi francez, Metz nuk është treguar profesionist në marrëdhënien që ka mbajtur me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Përveç situatës që është krijuar në kombëtare, pasi lista është ndryshuar disa herë, një tjetër aspekt bën habi me thirrjet e Panuçit. Lojtarët që nuk kanë mundur të vijnë në ekipin përfaqësues, janë zëvendësuar me lojtarë të pozicioneve të tjera. Balliu luan në të dyja fashat e mbrojtjes, ndërsa zëvendësuesi i tij, Kaja luan në krahë por si mesfushorë i avancuar. Edhe më herët, kur Loret Sadiku nuk pranoi të luante me Shqipërinë për këto dy ndeshje, u zëvendësua nga një futbollist që nuk luan në pozicionin e tij, Ergys Kaçe. Sakaq me kombëtaren për këto dy ndeshje nuk do të jenë as Ylber Ramadani që u dëmtua vetëm dy ditë para se të fillonte grumbullimi dhe Fjorin Dyrmishaj, që po kryen shërbimin ushtarak në Greqi.

Ndeshja e parë e ekipit kuqezi është ditën e shtunë, më datë 17 nëntor me Skocinë, më pas tre ditë më vonë, në “Elbasan Arena” do të luaj sfidën miqësore me Uellsin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë