Kombetarja

Tjetër miqësore për kuqezinjtë, Broja-Kamberi “blerjet” e reja

Për momentin, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka në dispozicion një ndeshje miqësore, atë me Slloveninë, që do të zhvillohet në Udine më 30 mars. Në FSHF po bëjnë përpjekje për të siguruar edhe një tjetër miqësore, duke qenë se është edhe një datë e lirë nga UEFA. Nuk ka ende asgjë zyrtare, por mësohet se kandidatë për kundërshtarë janë Mali i Zi, Moldavia dhe Letonia. Nëse do të bëhen dy miqësore, trajneri Reja do të ketë mundësi të shohë më mirë gjendjen e lojtarëve, sidomos të atyre që pritet t’i shërbejnë fanellës kuqezi në të ardhmen.

Armando Broja me Kombëtaren U-21. Gazeta Si, 5 shkurt 2020

Dy “blerjet” e reja të këtyre miqësoreve do të jenë në sulm. Armando Broja dhe Florian Kamberi do të grumbullohen nga trajneri italian për t’u aktivizuar në këto ndeshje. Broja, sulmuesi i Kombëtares U-21 deri tani, po bën një paraqitje shumë të mirë me të rinjtë e Çelsit dhe duket gati për t’i shërbyer edhe Kombëtares A të Shqipërisë, edhe pse është ende 18 vjeç. Ka lindur në Angli, por ka nënshtetësi shqiptare. Shanset janë shumë të mëdha që Broja të bëhet pjesë e ekipit të parë të Çelsit, pasi konsiderohet një nga të rinjtë më premtues.

Kamberi gjatë grumbullimit me Kombëtaren pak muaj më parë. Gazeta Si, 5 shkurt 2020

Për Kamberin historia është pak më ndryshe. Ai është grumbulluar me Shqipërinë për ndeshjet e fundit eliminatore të Euro 2020 të Shqipërisë, por nuk mundi të luante për shkak se ende nuk kishte gati dokumentacionin përkatës, pasi ka luajtur më parë me kombëtaret e moshave të Zvicrës. Tashmë FIFA e ka dhënë “ok”-in dhe Kamberi, i cili vetëm pak ditë më parë u bashkua me ekipin e madh skocez Gllasgou Rejnxhërs, është gati për kuqezinjtë. Sulmuesi 24-vjeçar është një alternativë e mirë për kuqezinjtë dhe bashkë me Brojën mund t’i japin garanci trajnerit Reja për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë