Atletike

Tjetër hetim për atletikën ruse, rrezikon sanksione më të rënda

Tri javë kohë për të dhënë shpjegime, në të kundërt do të ketë sanksione të tjera për atletikën ruse. VADA (Agjencia Botërore Antidoping) ka vënë sërish në shënjestër Rusinë, pasi ka zbuluar disa mospërputhje në të dhënat e marra nga Moska. “Palës ruse i është kërkuar të japë shpjegime për këto mospërputhje, – ka thënë Sergei Kriçikov, kryetar i konventës sportive të Këshillit Europian dhe pjesëtar i këshillit mbikëqyrës mbi agjencinë ruse antidoping, Rusada. – VADA ka vënë re se të dhënat e Rusadës nuk janë konform standardit ndërkombëtar dhe ka kërkuar një hetim të përshpejtuar. Vendimi është marrë mbi bazën e inkoherencës mes të dhënave të VADA-s dhe atyre që kanë ardhur nga laboratori i Moskës në janar të këtij viti”.

VADA kishte caktuar disa rregulla për rehabilitimin e laboratorit të Moskës, pas skandalit të Olimpiadës së Soçit, që solli skualifikimin ndërkombëtar të Rusisë nga garat. Autenticiteti i të dhënave ishte një nga kushtet thelbësore për të pranuar sërish agjencinë ruse. Sipas VADA-s, edhe një ndërhyrje sado e e vogël do të komprometonte gjithçka dhe do të sillte sanksione më të ashpra, kështu që atletika ruse rrezikon seriozisht.


Agjencia Ndërkombëtare Antidoping. Gazeta Si, 23 shtator 2019

Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), nuk ka marrë ende një vendim, nëse do ta pranojë kombëtaren ruse të marrë pjesë në Botërorin e Dohas, që nis të premten. Atletika ruse është pezulluar që prej vitit 2015, por sportistët e saj mund të garojnë me një leje të veçantë, duke përdorur një flamur neutral.

 

Më Shumë