Pas humbjes në derbin me Interin, u duk se Milani do bënte kthesën në Torino, ku Piatek shënoi me penallti në pjesën e parë. Por rënia e kuqezinjve vazhdon, edhe pse në nivel loje mund të ketë bërë një nga ndeshjet më të mira. Andrea Beloti realizoi dy gola në pjesën e dytë, duke i dhënë një tjetër goditje të fortë Milanit të Xhampaolos, i cili e justifikoi humbjen 2-1 me mungesën e cinizmit nga lojtarët e tij.
Torino bashkohet me Napolin dhe Kaljarin në vend të 4-t, kurse Milani, me dy humbjet radhazi, ka shkuar në vend të 13-të, me vetëm 6 pikë pas 5 ndeshjesh. Kuqezinjtë dominuan në pjesën e parë dhe mund të kishin shënuar më shumë se një gol. Piatek duket se këtë sezon shënon vetëm nga pika e bardhë e penalltisë, pasi në aksion ka vështirësi. Xhampaolo në Torino i besoi Benaserit një fanellë titullari në mesfushë, ndërsa sulmi ishte si në derbi, me Suson, Leao dhe Piatek. Ndeshja po shkonte mirë, por situata u përmbys në pjesën e dytë. Beloti barazoi në një gjuajtje që mund të pritej nga Donaruma, por devijimi i tij ishte i pamjaftueshëm. Duke parë Milanin në vështirësi, Torino vazhdoi sulmet dhe pas 4 minutash Beloti i dha goditjen e dytë kundërshtarit.

Ishte humbja e 3-të për Milanin në 5 javë kampionat dhe stoli i Xhampaolos ka marrë një tronditje të fortë. Para ndeshjes me Torinon ishte Paolo Maldini, i cili konfirmoi se trajneri nuk rrezikon, por humbja e tretë e kuqezinjve me siguri i ka vënë në mendime drejtuesit e klubit kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.